Ditët e Eksodit Shqiptar, Meta: Nderim viktimave të pafajshme të luftës së Kosovës

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot ditën e eksodit biblik të shqiptarëve të Kosovës nga gjenocidi i regjimit të Sllobodan Milosheviçit. Në një mesazh në Facebook, Presidenti ka publikuar një video që tregon pamjet e dhimbshme të vëllezërve kosovarë që u dëbuan në mënyrë masive nga vatrat e tyre 21 vite më parë.

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit vlerëson kontributin e qytetarëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, të cilët hapën shtëpitë e tyre për të pritur vëllezërit nga Kosova, në ato ditë të vështira për kombin.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

Sot në Ditën e Eksodit Shqiptar, përkujtojmë vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificat sublime të mbi 1 milion shqiptarëve, të cilët 21 vite më parë u dëbuan me dhunë nga Kosova martire, për shkak të gjenocidit dhe spastrimit etnik të regjimit kriminal të Millosheviçit!

Sot nderojmë edhe kujtimin e viktimave të pafajshme të luftës së Kosovës, fëmijët, gratë e të moshuarit e vrarë barbarisht, si edhe heronjtë dhe dëshmorët e rënë për lirinë e pavarësinë e saj.

Mirënjohje në veçanti për kontributin historik të popullit të Kukësit, të Tropojës dhe të Hasit, që edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe sociale, mikëpritën dhe mbajtën peshën kryesore të bujarisë e humanizmit gjatë këtij eksodi biblik.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/vb.1477517792294489/218167296140340/?type=2&theater

SHKARKO APP