Ditmir Bushati: Statusi i Kosovës është i përcaktuar, nuk ka nevojë rishikime kufinjsh

Ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati ka qenë shumë i qartë sot, kur ka folur për median në një intërvistë në lidhje me bisedimet Serbi-Kosovë. Kaq i qartë është ministri ynë sa ka nevojë që ta lexojnë me laps në dorë Presidenti Thaçi, por edhe ai serb, Vuçiç.

Ja se ç’shkruan ministri Bushati:Nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo se si do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo. Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”, si pasojë e tolerimit të “parimit të rivendosjes”, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon. Statusi i Kosovës është konfirmuar që me “Parimet Udhëzuese” të Grupit të Kontaktit, kur katër nga pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përkatësisht SHBA, Francë, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, bashkë me Gjermaninë dhe Italinë parashtruan qartësisht se Kosova “duhet të mbetet multietnike dhe zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës”.

Po në këtë dokument u sanksionua gjithashtu se “nuk do të ketë kthim të Kosovës në situatën para vitit 1999, asnjë ndarje dhe as bashkim me ndonjë vend tjetër”. Në vijim, sovraniteti i Kosovës është konfirmuar në parimet bazë të “Planit Ahtisaari”, me shpalljen e pavarësisë në 2008-n dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e konsideroi pavarësinë e Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Duke vazhduar përsëri në lidhje me këto bisedime ai vazhdonNë këtë prizëm, inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane. Po ashtu, duhet pasur parasysh se çka është vendosur tashmë në kuadër të Paketës së Ahtisaarit, e mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, nuk do të mund të tjetërsohet përmes një marrëveshjeje të re. SHBA, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit për të siguruar që shoqëritë mbeten të hapura. Kjo mbetet një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Rajoni ynë ka pësuar ndryshime të mëdha në dekadat e fundit, në sajë të fuqisë transformuese të BE-së. Dalja nga ky kurs do t’i kushtonte shqiptarëve dhe të gjithë rajonit.

SHKARKO APP