Djali i Adem Demaçit flet pas ngritjes së akuzave për Thaçin dhe Veselin: Orientime zhbërëse të shtetit të Kosovës
Shqiptar Demaçi, djali i veprimtarit Adem Demaçi, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzave nga Specialja ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Demaçi ka thënë se imponimi i Bashkësisë Ndërkombëtare që të pranohet Gjykata Speciale ishte nismë e padrejtë, agresive dhe e njëanshme.
“Nja dy fjalë për Gjykatën Speciale për Kosovën. Imponimi i Bashkësisë Ndërkombëtare që të pranohet kjo Gjykatë Speciale, ende pa u akuzuar e dënuar shteti Serb për aktet gjenocidiale- viktimat e invaliditetet, dhunimet seksuale e dëmet shpirtërore e materiale Kosovë (1998/99), ishte një nismë e padrejtë, agresive e i njëanshëm. Akuzat nga Prokurori i Gjykatës Speciale specialisht e vetëm e vetëm kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së, e këtyre ditëve edhe z. Thaçi e z. Veseli, janë orientime zhbëse e minuese të shtetit të ri të Kosovës”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Në fund të shkrimit, Demaçi ka thënë se “shpresojmë të funksionojnë Ligjet e pashkruara të natyrës, aty ku njerëzit gabojnë qëllimisht”.