Djep i Serbisë? Mustafa kundërpërgjigjet: Vuçiç, ne jemi të pavarur

“Kosova është shtet i pavarur”. Në këtë mënyrë iu përgjigj kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaratës së homologut të tij serb se Kosova është djep i Serbisë.

“Toka i takon atij që e shfrytëzon. Ai që merr leje për të hyrë në këtë tokë, nuk mund t’i shpall këto toka se janë tokat e tij. Kryeministri i Serbisë ka hyrë në Kosovë me leje të autoriteteve të Republikës së Kosovës, kurrkush nuk kërkon leje për të hyrë në tokën e vet. Por, ka kërkuar leje të hyjë këtu, sepse ky vend i takon Republikës së Kosovës, ky vend është shpallur si vend sovran dhe i pavarur”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi në një konferencë për mediat se Qeveria e tij do të bisedojë e bashkëpunojë me Beogradin për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.

Në lidhje më këtë çështje, Mustafa i deklaroi të pamatura deklaratat e Ministrit të kabinetit të tij Jabllanoviç , por nuk mbështet thirrjet për shkarkim të tij.

Po ashtu ai bëri thirrje që të pushojnë protestat të cilat janë mbajtur edhe sot para Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Kosovës.

“Ne kemi vlerësuar si të pamatur deklaratën e ministrit Jabllanoviq për protestat në Gjakovë. Por po ashtu e kemi parasysh se Ministri e ka sqaruar deklaratën dhe pozicionin e tij publikisht.

Për fat të keq tragjeditë e të pagjeturve i kemi tragjedi historike, të cilat kanë ndodhur në këtë vend edhe në shekullin e XX dhe në shekullin XIX dhe çdo njëri prej nesh e kemi përjetuar në familjet tona tragjedinë e njerëzve që kurrë nuk janë kthyer aty, ose tragjedinë e fshatrave që janë prekur një ditë dhe në këtë aspekt nuk ka nevojë askush të na sjell neve libra sepse librat i kemi në shtëpitë njerëzit tanë.

I kam edhe unë të Prapashticës që nuk më janë kthyer kurrë, i kanë edhe tjerët. por ne nuk mund ta zhvillojmë këtë vend përmes urrejtjes. Ne këtë vend duhet ta zhvillojmë përmes urave të paqes, bashkëpunimit, e jo përmes armiqësive”, theksoi ai.

Mustafa deklaroi se çështja e të zhdukurve do të diskutohet edhe në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që pritet të rifillojnë më 9 shkurt në Bruksel.

Por pala serbe ka deklaruar se ky proçes mund të pësojë një goditje për shkak të vendimit të qeverisë së Kosovës për të miratuar projektligjin që i ndërron pronësinë kompleksit të minierave “Trepça”.

Serbia pretendon pronësi mbi këtë kompleks. Por, kryeministri Mustafa tha se pronarët janë të qartë.

SHKARKO APP