Dorëheqja e Presidentit/ Hoti: Forcat politike të bëhen bashkë për maturi institucionale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kanë zhvilluar të hënën një takim për të diskutuar rreth zhvillimeve aktuale në këtë vend, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga detyra e presidentit.

Pas takimit, kryeministri Hoti ka deklaruar para gazetarëve se në këtë situatë në të cilën po kalon vendi, nevojitet unitet politik.

“Pavarësisht zhvillimeve politike e proceseve në të cilat kalon vendi, si rezultat i dorëheqjes së presidentit të vendit, tash forcat politike duhet bërë bashkë që të japin mesazhin e maturisë së institucioneve të Kosovës për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës me pandeminë dhe me problemet ekonomike që vijnë si rezultat i pandemisë”, ka deklaruar Hoti.

Më 5 nëntor, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Thaçi do të bëjë paraqitjen e parë para gjykatës së këtij institucioni më 9 nëntor.

Seanca është caktuar të nisë nga ora 15:00 dhe do të jetë publike.

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.

Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999./REL

SHKARKO APP