Dorëzon emrin për mandatar si kryeministër, Kurti: Ende nuk kemi marrëveshje me LDK-në
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë të ditur se edhe pas dorëzimit të emrit për mandatar për kryeministër ende nuk kanë arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përmes një video të publikuar në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se janë të gatshme për takime të reja me LDK-në, në mënyrë që të gjenden alternativa për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Deklarata e plotë
“Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues në zgjedhje e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake. Dy javë pas takimi katër minutësh nuk kemi marrëveshje. Ne nuk e kemi pranuar propozimin e LDK-së, por jemi të gatshëm për takime tjera.
E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja ‘Merre ose lëre’, do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë.
Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi, e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak. E kemi filluar duke e çliruar nga kapja, udhëheqjen e Kuvendit: nuk është më aty ai Pronto kryeparlamentari që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri, Glauk Konjufca. Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave.