Doris Pack: Jam e lumtur për koalicionin PDK-LDK
Gjatë një interviste për RTK-në, ajo ka theksuar se ky koalicion do t’i ofrojë vendit një qeveri të qëndrueshme.
Sipas saj, një vend që është kaq i brishtë si Kosova, kërkon një qeveri me mbështetje të fuqishme parlamentare, për të përballuar sfidat e shumta që ka përpara, siç është dialogu me Serbinë, që duhet vazhduar, pastaj dhe shumë angazhime dhe detyrime të tjera ndërkombëtare që Kosova ka marrë përsipër.
“Besoj e di çdo kush se unë ka disa muaj që kam preferuar një koalicion të tillë midis LDK-së dhe PDK-së, sepse dëshiroj që Kosova, të ketë një qeveri stabile, e cila do të përbëhet së paku nga katër parti, përfshirë këtu dhe minoritetet. E kam thënë dhe po e përsëris prapë, se Kosova duhet të ketë një kryeministër që vjen nga parti politike që ka fituar më shumë vota se 9 për qind në zgjedhjet e 8 qershorit. Për më tepër jam shumë falënderuese që tashmë PDK-ja dhe LDK-ja janë bërë bashkë në një koalicion të madh dhe ajo që unë dëshiroj tani është që ata të veprojnë pa as një vonesë në formimin e institucioneve, sepse siç e dimë të gjithë është humbur shumë kohë”, tha ajo.
Duke shtuar se i gjithë ky proces që ka zgjatur për muaj të tërë, ka mundur të kryhej sikur kjo ide të ishte ndjekur që në fillim. Sidoqoftë, jam e gëzuar që kjo ndodhi më në fund dhe dëshiroj të uroj të dy liderët për fitoren e arsyes.
“Një vend që është kaq i brishtë si Kosova, kërkon një qeveri e cila ka prapa një mbështetje të fuqishme parlamentare, sepse vendi ka shumë sfida përpara, siç është dialogu me Serbinë, që duhet vazhduar, pastaj dhe shumë angazhime dhe obligime tjera ndërkombëtare që i keni marrë përsipër. Është shumë mirë që tani dy partitë së bashku do të kenë një mbështetje të fuqishme nga shumica parlamentare dhe të bëjnë hapat e duhur në drejtim të përparimit, për të cilin vendi ka shumë nevojë. Prandaj po e përsëris edhe një herë: jam shume e lumtur që kjo çështje mori këtë përfundim”, përfundoi ajo.