Drejtësi për Klodianin, studentët në Prishtinë: Rinia, ose të ikë nga vendi ose të përballen me dhunën e pabarazisë

Shqipëria është në protestë prej një jave për vrasjen e të riut, Klodian Rasha nga efektivi i repartit ”Shqiponja”. Protesta janë mbajtur edhe në vende të ndryshme të Europës, deri në SHBA, ku janë bashkuar me rininë shqiptare në kauzën që kanë ngritur.

Para ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, mbrëmjen e kësaj të marte studentë ndezën qirinj për të shprehur ngushëllime për vrasjen e 25-vjeçarit, si dhe u shpreh solidaritet për reagimin qytetar në kërkim të drejtësisë. Sipas tyre, rinia shqiptare ka dy rrugë, ose të ikë nga vendi ose të përballen me dhunën e pabarazisë.

”Të rinjtë po mbesin shpesh mes dy opsionesh dhune: të lëshojnë vendin ose të përballen me dhunën e pabarazisë dhe eliminimin nga vetë institucionet shtetërore. Këtë e gjeti edhe të riun nga Tirana, Klodian Rashën. Për këtë vrasje nga uniformat, që për nga natyra e punës duhet të ofrojnë siguri, duhet të mbahet përgjegjësi e plotë penale dhe politike, përfshirë hetimi mbi tentativën për mashtrim e manipulim të së vërtetës. Çka në fakt po ndodh është vazhdim i dhunës për qytetarët të cilët kanë ngritur zërin në kërkim të drejtësisë. Të rinjtë e të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë që të ndërtojnë një alternativë përtej dy opsioneve të dhunës që ofron sistemi”,-u shprehën organizatorët.

SHKARKO APP