Drenas, përleshje mes të rinjve, qëllohen me thikë 4 nxënës
Katër nxënës sot janë qëlluar me thikë në shkollën e mesme teknike në Poklek të Drenasit në Kosovë. Policia njofton se ka arrestuar dy persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast.
Më poshtë njoftimi i plotë i policisë:
Sot rreth orës 13:15, policia ka marrë informacionin se në fshatin Poklek në Drenas, saktësisht në afërsi të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga hetuesit e stacionit policor të Drenasit si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast të vrasjes në tentativë, ku viktimat:
o A. Q, mashkull , 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës
o A. V, mashkull , 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës
o V. N, mashkull , 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe
o S. Q, mashkull , 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
kanë marrë plagë nga arma e ftohët (thikë) dhe të njëjtit menjëherë janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Në kuadër të veprimeve të saj policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Si rezultat i kësaj pak çaste më vonë policia ka arritur të identifikoj dhe të arrestoj:
- V. H, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe
- T. H, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
për të cilët dyshohet me bazë të jenë të përfshirë në rastin në fjalë.
Ndaj të dy të dyshuarve pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit të shtetit, policia ka shqiptuar masën e ndalimit policor për 48 orë, për veprën vrasje në tentative.