DW: Votime gati pa votues në veri të Kosovës
Në katër komunat në veri të Kosovës zhillohet votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë. Lista Srpska bëri thirrje për bojkotimin e votimeve, si pasojë shumë pak serbë janë parë në qendrat e votimit.
Në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, votohet këtë të dielë për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë, proces ky që do t’i hapte rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja në këtë rajon. Partia më e madhe e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që ka mbështetjen e Beogradit, u ka bërë thirrje serbëve që të mos votojnë. Në qendrat e votimit që u hapën që nga ora shtatë e mëngjesit, sipas medieve lokale serbe, nuk shihet pothuajse asnjë qytetar serb, apo vetëm disa prej tyre votojnë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe ato do të qëndrojnë hapur deri në orën 19 të mbrëmjes. Janë gjithsej 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht. Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, u tha se drejtorët e 33 shkollave në veri, që punojnë sipas sistemit serb, kanë thënë se kanë “aktivitete shkollore” dhe nuk mund t’i japin për shfrytëzim objektet për procesin votues. Prandaj, KQZ-ja vendosi që disa objekte alternative të shndërrohen në vendvotime. Të drejtë vote kanë rreth 45 mijë qytetarë.
Aktualisht komunat e veriut të Kosovës Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe. Për t’i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme. Në rast se dështon ky votim, atëherë do të humbasë për një vit mundësia që të ushtrohet një peticion i tillë.