Dy të akuzuar për përfshirje në grup terrorist

 

Prokuroria e posaçme e Kosovës tha se ka ngritur aktakuzë kundër dy shqiptarëve të Kosovës nën dyshimet për veprat penale organizim ose pjesëmarrje në grup terrorist.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se të dy ata “kishin shkuar në Siri, ku i ishin bashkangjitur organizatës terroriste Al Nusra. Njëri në periudhën kohore nga muaji nëntor 2013 deri në muajin gusht të vitit 2014 dhe tjetri në periudhën kohore prej datës 09 deri me 30 mars të vitit. Për shkak të  konflikteve që kanë pasur  grupi terrorist Al Nusra  me organizatën  tjetër terrorist ISIS,  janë kthyer në Kosovë”.

Që nga viti 2013, autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Rreth 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Në muajin mars të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

SHKARKO APP