Dy vendime “për shpërnguljen suksesshme të shqiptarëve”

Migrimi aktual nga Kosova, që ka marrë përmasat e eksodit masiv, nuk është i pari në historinë e shqiptarëve të Kosovës.Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet e tjera.

 

Edhe me gjithë masat drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizojë me shpërnguljen me dhunë e terror të të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe territoreve rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime u përpiluan edhe një varg elaboratesh dhe planesh, shkruan Koha Ditore.

Një kontrollim i kaosit të shpërnguljes është legalizuar më 11 korrik 1938 me nënshkrimin e Konventës jugosllave-turke në Stamboll. Sipas konventës ishte paraparë dëbimi i 40.000 familjeve nga viset e pushtuara nga Serbia, "të cilët flasin turqisht dhe kanë kulturë turke" nga 46 rrethet e banovinave të Vardarit, Zetës dhe Moravës.

Sipas konventës së përmendur, Turqia ka qenë e detyruar të pranonte 40.000 familje brenda gjashtë vjetëve, ndërsa me marrëveshje parashihej që Jugosllavia t’i paguante kompensim Turqisë nga 500 lira turke për familje, domethënë në total 20 milionë lira. Konventa parashikonte transferimin e emigrantëve dhe pasuritë e luajtshme deri në portin e Selanikut në kurriz të Jugosllavisë.

Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në Klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937, të cilin e hartoi dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut politik serb, përcjell koha.net. Me këtë rast po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.

Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua për dëbimin e popullatës jo sllave nga Serbia Jugore.

Teksti i dytë paraqet projekt- planin për shpërngulje të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935 në Beograd. 

SHKARKO APP