Dyshime për keqpërdorim të votës, arrestohen dy persona në Kosovë
Prokuroria Speciale ka ndaluar dy persona me dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve dhe dhënien apo marrjen e ryshfetit në lidhje me votimin.
Prokuroria ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj A.K dhe S.M të cilët dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe “Dhënia apo marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se gjatë ditës së djeshme (09 mars 2021), ka ndaluar dy persona me inicialet A.K dhe S.M, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve”, nga neni 211 dhe “Dhënia apo marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 të KPRK-së. Po ashtu, Prokurori i shtetit gjatë ditës së sotme do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e lartcekur për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat si më lartë”, ka njoftuar prokuroria.
Po ashtu nëpërmjet një komunikate thuhet se, Prokuroria Speciale është duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast.
Ditën e djeshme ministrja e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla dha dorëheqjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesat ngriti dyshimet për manipulim të votave në favor të saj.