E çuditshme në Kosovë! E pushojnë pasi refuzoi të pastronte shtëpinë e zv/drejtoreshës
Derisa ishte duke kryer punën e saj prej pastrueseje në “Spitalin Amerikan”, Hyrishahe Makolli ka marrë një kërkesë, që të shkojë për të pastruar banesën e zëvendësdrejtoreshës së këtij spitali, Era Halili.
Makolli ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, duke thënë se kontrata e saj nuk është për të pastruar banesat jashtë spitalit, por për të pastruar vetëm hapësirat spitalore, ku ajo edhe ishte e punësuar. Kërkesën për të bërë pastrimin e banesave thotë se ia ka bërë menaxherja e saj e drejtpërdrejtë.
“Pastrueset tjera shkonin. Por unë nuk kam pranuar. Ne në kontratë na figuron vetëm pastrimi i hapësirave të Spitalit Amerikan, e jo edhe banesave të udhëheqësve të spitalit”, thotë Hyrishahe Makolli.
Refuzon pastrimin e banesës, largohet nga puna
Ajo ka treguar se refuzimit të saj në këtë spital i janë përgjigjur menjëherë me largim nga puna. “Ka qenë ora 15 e 40 pas dreke, kur unë isha në ndërrim 12 orësh kur më thanë që jam e larguar nga puna”, thotë gruaja rreth të dyzetave.
Ajo thotë se e gjitha ka ndodhur më 22 prill 2015, vetëm njëzet ditë pasi Makolli kishte marrë një vërejtje me shkrim nga “Spitali Amerikan”.
Në vërejtjen adresuar Makollit, ku asaj i është shqiptuar masa disiplinore, thuhet se kjo është bërë për shkak të mosrespektimit të detyrave dhe përgjegjësive.
Makolli, sipas kësaj shkrese, ka ikur në pushim pa asnjë aprovim paraprak. Por, derisa Hyrishahe Makolli thotë se ajo ka punuar deri më 22 prill 2015, vendimi për largimin e saj nga puna i nënshkruar nga drejtori i “Spitalit Amerikan”, Driton Ukmata, është i datës 6 prill 2014.
“Krejt letrat i kanë përgatitë ndërkohë, pas largimit tim. Kanë fabrikuar edhe dokumente dhe vërejtje tjera, prej datës së largimit tim e deri dje më 9 qershor kur fizikisht mora vendimin për largim nga puna”, thotë Makolli.
Ndërkohë në vendimin për largimin e saj nga puna, thuhet se ndërprerja e marrëdhënies së punës bëhet pasi punonjësja ka pasur performancë të dobët në punë si dhe e njëjta pavarësisht vërejtjeve të eprorit të saj nuk i kishte respektuar ato.
Në vendim thuhet po ashtu se ajo kishte ikur pa paralajmërim paraprak në pushim dhe duke mos dhënë arsye të forta për këtë.
“Vendimi është marrë duke u bazuar në ankesat në vazhdimësi të eprorëve të saj për gabime të patolerueshme, vonesë në orarin e punës, këto të adresuara dhe të evidentuara në dosjen e punonjëses pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të Spitalit Amerikan në Kosovë”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Ukmata.
Derisa, punonjësja e larguar thotë se këtë vendim ia kanë vonuar me qëllim që të humbet afatet ligjore për ankesa.
Kundërthënie në shkresat e “Spitalit Amerikan”
“Unë tek kur mora këtë vendim, e kuptova se kisha pasur vërejtje tjera. Asnjëherë ato nuk më janë kumtuar”, thotë kjo ish-punonjëse e “Spitalit Amerikan”.
Ajo ka treguar gjithashtu se kur iu shqiptua vërejtja që e kishte pranuar, kishte kërkuar përmes SMS-ve të takojë dhe të bisedojë me drejtorin e spitalit. “Por ai në fillim nuk u paraqit”.
Pasi është larguar nga puna, po më datë 22 prill 2015, Makolli tregon edhe një mesazh tjetër të dërguar në numrin e drejtorit të saj.
Atë moment, drejtori Ukmata do t’i përgjigjej në telefon punonjëses së tij, duke i thënë se nuk është në dijeni se çfarë ka ndodhur.
Ukmata ka treguar se spitali ka numër të madh të punëtorëve. “Vendimin e kam nënshkruar unë”, thotë ai. I pyetur për kundërthënien, ai tha se nuk i kujtohet se çka i ka shkruar. Ndërkohë, sa i përket kërkesës për pastrimin e hapësirave jashtë spitalit, ai ka thënë se ato hapësira ku janë të vendosur pjesa e stafit të Shqipërisë, janë të Spitalit.
“Ato janë në shfrytëzim të spitalit dhe nuk janë banesa private”, thotë Ukmata.
Të martën, Makolli ka qenë edhe në Inspektoratin e Punës, ku ka paraqitur ankesën e saj për largim të njëanshëm nga puna./Zeri