Edhe 10 muaj pas sulmit në Banjskë, Serbia pa asnjë veprim ndaj Milan Radoiçiq
E pavarësisht se Kosova i ka kërkuar zyrtarisht Serbisë që ta dorëzojë terroristin e sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiq, Serbia nuk ka bërë asgjë deri tani që ta zbardhë rastin e nuk ka marrë asnjë mas ndaj Radoiçiqit, i cili kishte pranuar se e kishte organizuar sulmin në Zveçan ku kishte mbetur i vrarë një polic e Kosovës.
Në Serbi thonë se rasti i Banjskës e ka rënduar procesin e dialogut.
Sipas njoftimit të fundit të Prokurorisë së Lartë, hetimet janë duke vazhduar. Avokati Çedomir Stojkoviq beson se tani është radha e Perëndimit të veprojë për të ushtruar presion shtesë ndaj autoriteteve serbe.
Institucionet e Kosovës kërkojnë që Serbia të ekstradojë Milan Radoiçiqin në Kosovë. Lidhur me këtë, konsiderohet se Banjska e ka rënduar procesin e dialogut. Për gazetaren Sofija Popoviq, Banjska shihet si pikë kthese.
“Kjo ka tronditur besimin e partnerëve perëndimorë se cila është politika e Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën. Pra, mendoj se ndjekja penale e Milan Radoiçiqit nga Perëndimi do të insistohet, por mendoj se edhe Beogradi do të insistojë që ai të mos ndiqet penalisht në përputhje me përmasat e krimit që ka kryer.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, disa here tha se Radoiçiq është çështje e organeve gjyqësore të shtetit. Zyrtarisht, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd po e heton Radoiçiqin për blerjen e armëve, raporton RTKlive.
Që atëherë nuk dihet nëse ka elemente për aktakuza. Perëndimi pret që Serbia të tregojë se nuk e ka mbështetur Banjskën përmes një hetimi dhe ndëshkimi efektiv të përgjegjësve, ku përfshihet Milan Radoiçiq si lider i grupit terrorist./RTK/