Edhe në Kosovë më mirë të punosh në shtet – Paga mesatare u rrit me 30% në 5 vite

Një shtetas i Kosovës që punon në sektorin publik ka marrë 125 euro më shumë në vitin 2017, krahasuar kjo me 5 vite më parë. Sipas raporti pesë vjeçar të publikuar nga Agjencia e Statistikave paga mesatare bruto në sektorin publik u rrit me 30.7 për qind në 2017, krahasuar me vitin 2012.

“Derisa, paga neto nga 353 Euro sa ishte në vitin 2012, u rrit në 474 Euro, një rrije prej 121 Eurosh, ose 34.3 për qind”, thuhet në raport.

Një rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe pagat e atyre që punojnë në sektorin e ndërmarrjeve publike. Në këtë sektor është edhe niveli me i lartë i pagave në Kosovë.

“Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 518 Euro, derisa në vitin 2017 ishte 667 Euro, një rritje prej 149 Eurosh, ose 28.8 për qind. Derisa, paga neto nga 465 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 592 Euro, një rrije prej 127 Eurosh, ose 27.3 për qind.”

Më të diskriminuarit janë ata që punojnë në sektorin privat. Pagat e tyre kanë pësuar një rrije simbolike prej 15 eurosh.

“Sektorit privat, në vitin 2012 kishte një pagë bruto mesatare prej 367 Eurosh, kurse në vitin 2017 kishte 384 Euro, një rritje prej 17 Eurosh, ose 4.6 për qind. Derisa, paga neto nga 333 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 348 euro, një rrije prej 15 Eurosh, ose 4.5 për qind”.

Duke llogaritur në mesatare të pagës në sektorin publik, privat dhe ndërmarrjet publike “në vitin 2012 paga mesatare bruto në Kosovë ishin 431 Euro, derisa në vitin 2017 ishte 528 Euro, një rritje prej 97 Eurosh ose 22.5 për qind”.

SHKARKO APP