Edhe një vit i humbur në luftën kundër korrupsionit

Kosova ka humbur edhe një vit në luftën kundër korrupsionit. Kështu të paktën deklarojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata nga shoqëria civile.

Drejtuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, theksojnë se edhe pse lufta kundër kësaj dukurie në vitin 2014, ishte një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, megjithatë angazhimi institucioneve përkatëse për ta luftuar këtë dukuri ka munguar.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se luftimi i korrupsionit ende mbetet problematik për faktin se në vitin 2014, ka pasur një numër të vogël të ngritjes së aktakuzave nga ana eautoriteteve kompetente, e aq më keq edhe të shqiptimit të dënimeve.

"Në luftën e angazhimit anti-korrupsion në Kosovë, nuk ka pasur progres. Do të thotë është një vit zero", tha Preteni.

Preteni thotë se ndonëse ka pasur ndjekje ndaj të dyshuarve për korrupsionin, siç kanë qenë rastet ndaj zyrtarëve të agjencive të pavarura, zyrtarëve të mekanizmave që rregullojnë fushën e prokurimit, rezultatet akoma janë të padukshme.

"Mjafton të konstatojmë që 15 vjet pas luftës, vetëm javën e fundit të vitit e patëm një aktgjykim për veprime korruptive dhe ata nuk ishin zyrtarë të lartë, por u dënuan disa përfaqësues të kompanive për korrupsion. Ende mbetet që asnjë zyrtar i lartë në Kosovë nuk është dënuar për veprime korruptive", tha Preteni.

Organizata Transparency International, në fillim të muajit dhjetor ka publikuarIndeksin e perceptimit të Korrupsionit, për vitin 2014.

Kosova ka marrë 33 pikë, duke u radhitur në pozitën numër 110.

Për shkallen e lartë të korrupsionit në Kosovë është shkruar edhe në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian, ku është theksuar se Kosova, nuk ka dëshmuar rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sa i takon korrupsionit në Kryeprokurorinë e Shtetit, kanë deklaruar se luftimi i korrupsionit është prioritet i sistemit prokurorial të Kosovës.

Sipas tyre, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka zhvilluar politika dhe ka ndërtuar mekanizma përkatëse, që përveç luftimit të korrupsionit, në Kosovë të ndërmerren hapa konkret edhe në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Prokurorja e shtetit Laura Pula, njëherësh koordinatore nacionale kundër korrupsionit, thotë se si rezultat i punës së kryeprokurorisë ka pasuraktgjykime dënuese dhe konfiskime të aseteve të fituara me vepra penale, që tejkalojnë shumën e miliona eurove.

“Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit, në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që i'a lejon ligji, ka dhe është duke ndërmarrë masa që në të gjitha rastet kur ka dëshmi dhe bazë ligjore të kërkojë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale”, tha ajo.

"Luftimi i kriminalitetit dhe veprave penale më serioze kërkon kohë, koordinim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, dhe tanimë kemi rezultatet e para të cilat do të vazhdojnë të jenë me evidente në muajt në vazhdim", ka deklaruar prokurorja Pula.

Ajo që e ka karakterizuar korrupsionin në Kosovë gjatë vitit 2014, është edhe rasti që po hetohet misioni i Bashkimi Evropian në Kosovës EULEX, nën dyshime për korrupsion.

Në muajt e fundit të viti 2014, është raportuar se dy zyrtarë të EULEX-it kanë pranuar mito për të fshehur tri raste kriminale. Në këto afera, përmendej se janë përfshirë edhe emra të zyrtarëve të Kosovës.

Para se këto informacione të dalin në media, EULEX-i, kishte suspenduar prokuroren Maria Bamieh, nga e cila është thënë se kanë rrjedhur informata.

Ndaj kësaj të fundit, Bashkimi Evropian kishte shqiptuar masën e suspendimit, duke konsideruar se kishte nxjerrë në media informacione për një rast që po hetohej.

Ndryshe, sipas shefit të Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, Gabriele Meucci, misioni që drejton po punon sipas ligjeve dhe ka prioritet luftimin e korrupsionit.

Ai ka thënë se "rastet e hetimeve të brendshme, dyshimet për korrupsion, nuk duhet të luhasin besimin e qytetarëve në këtë mision, pasi që me vet faktin se po luftohen këto raste, po tregohet serioziteti dhe profesionalizimi në punën e misionit".

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, konsiderojnë se zyrtarët e lartë apo bashkëpunëtoret e tyre vazhdojnë të jenë imun ndaj hetimeve rreth korrupsionit dhe rrjedhimisht edhe pasurisë së tyre.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen Fol, Petrit Zogaj, organizatë kjo që nga viti 2010 ka bërë monitorimin e pasurisë se personave zyrtarë, thotë për hetimin e pasurisë se zyrtarëve të lartë dhe luftimit të korrupsionit duhet të këtë vullnet politik nga të gjitha institucionet.

“Aktualisht ka bazë ligjore të mjaftueshme për të filluar hetimin e pasurisë ku mund të konsiderohet problem prejardhja e asaj pasurie", thotë Zogaj.

Kosova edhe pse konsiderohet si një vend i vogël dhe i varfër, megjithatë ka zyrtarë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët janë milionerë.

Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të pa luajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze.

Ambasadorja amerikane në Kosovë Tracey Ann Jacobson e ka cilësuar korrupsionin si një nga pengesat më të mëdha të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.

Ajo ka thënë se asnjë parti politike nuk mund të akuzohet si e vetme, pasi që disa prej liderëve apo zyrtarëve të tyre janë të përfshirë në raste të dyshuara për korrupsion.

“Unë dëgjoj politikanët që flasin për këtë dhe ai bëjnë me gisht ndaj njëri-tjetrit për korrupsion. Por, jo, unë mendoj se ka dëshmi të mjaftueshme që ka korrupsion në tërë spektrin politik, por jo vetëm tek politikanët, por janë edhe njerëzit e tjerë të cilët janë të përfshirë në aktivitete korruptive”, është shprehur Jacobson.

Agjencia kundër Korrupsionit është zotuar, do të vazhdoj të kryejë misionin e saj të përcaktuar me ligj dhe se nuk do të ndalen së kërkuari ndihmën e publikut, që të jetë pjesë e përbashkët e angazhimeve drejtë fuqizimit të një sistemi llogaridhënës dhe transparent.

SHKARKO APP