Edhe Prishtina me stadium të ri

Placeholder Image

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Fillimisht, presidenti Thaçi ka uruar presidentin Vokrri për anëtarësimin e Kosovës në UEFA, duke shprehur bindjen edhe për anëtarësimin e Kosovës në FIFA.

“Unë dëshiroj të falënderoj edhe një herë presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe legjendën e futbollit kosovar, por edhe më gjerë, Fadil Vokrrin, për punën e tij të jashtëzakonshme që ka bërë për anëtarësimin e Kosovës në UEFA, dhe mbetem me besim të plotë për anëtarësim të shpejt edhe në FIFA”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se, pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA, sa më shpejt duhet të fillohet me ndërtimin e një stadiumi të ri në kryeqytet, në mënyrë që të krijohen kushte evropiane për talentët kosovarë.

Sipas tij, ndërtimi i një stadiumi është interes nacional dhe për këtë tashmë ekziston një mbështetje dhe konsensus politik dhe mbarëshoqëror.

“Duhet filluar me ndërtimin e stadiumit të ri, edhe nga ana ime, kjo përkrahje do të rritet çdo ditë e më shumë. E di se ekziston një konsensus i plotë i të gjithëve në Kosovë për ndërtimin e këtij stadiumi”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri në emër të bashkëpunëtorëve, të gjitha klubeve, futbollistëve, gjyqtarëve, personelit teknik dhe administratës, ka falënderuar presidentin Thaçi për mbështetjen që i ka dhënë FFK-së në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA.

“Ju premtoj se ne asnjëherë nuk do të ndalemi. Krahas përpjekjeve të Qeverisë dhe të institucioneve të vendit, që po e potencoj prapë kanë qenë krah i fortë, dhe falë ndihmës së tyre edhe më lehtë e kemi tejkaluar këtë rrugë të vështirë. Edhe njëherë ju falënderoj dhe ju dëshiroj sukses në punën tuaj”, ka shtuar Vokrri.

Në fund, Vokrri ia ka dhuruar presidentit Thaçi një top të futbollit me nënshkrim të tij, i cili mban datën e anëtarësimit të Kosovës në UEFA.

SHKARKO APP