Edita Tahiri: Dialogu ndihmon për fqinjësi të mirë
Ministrja e Dialogut në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri deklaroi se progresi në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor është i lidhur ngushtë me progresin në marrëdhëniet ndërfqinjësore mes vendeve dhe progresin në integrimin në Bashkimin Evropian.
“Çështjet e hapura në rajon janë më tepër të lidhura me raportet fqinjësore mes vendeve dhe të kuptuarit e qartë se fqinjësia e mirë mes shteteve, tha Tahiri duke sjelle ne vemendje dialogun e Brukselit si një proces që po ndihmon për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal”. “Por Serbia në një anë thotë se po zbaton marrëveshjet e Brukselit dhe në anën tjetër vazhdon të përkrahe strukturat paralele komunale në Kosovë”, tha Tahiri.
Tahiri kërkoi që Bashkimi Evropian të njohë rezultatet e Kosovës në Dialogun e Brukselit dhe të vendosë sa më parë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Kosovën dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ministrja Tahiri theksoi se procesi i Berlinit, është bërë një faktor i rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal në planin ekonomik dhe infrastrukturor, duke marrë parasysh nevojat prioritare për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës në gjithë vendet e rajonit.
Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Institutit Aspen në Berlin të organizuar me Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi, në Budva. Tema qendrore e konferencës është bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, në aspektet politike, ekonomike dhe sigurisë, ku pjesëmarrës janë qeveritarë, politikanë dhe ekspertë nga vendet e rajonit dhe nga Gjermania, SHBA, Austria etj. Konferenca drejtohet nga Rudiger Lentz, Drejtor i Institutit Aspen.
Gjatë punimeve të kësaj konference, ministrja Edita Tahiri zhvilloi takime bilaterale me përfaqësuesin e Qeverisë gjermane Ernst Reichel, Emisar Special për Evropën Juglindore, Turqinë dhe vendet e EFTA-s, Drejtor për Ballkanin dhe me përfaqësuesin e Qeverisë amerikane, Jan Campbell, Zëvendës Drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të shtetit. Në këto takime, ajo kërkoi përkrahje për shpejtimin e Integrimit Euroatlantik të Kosovës dhe rritjen e njohjeve.