Edita Tahiri: Nga 33 marrëveshje me Serbinë, 29 zbatohen
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thotë se nga 33 marrëveshje të arritura në dialogun me Serbinë në Bruksel, 29 prej tyre zbatohen plotësisht.
Në një intervistë për KTV-në, Tahiri është shprehur optimiste se do të ketë njohje reciproke mes dy shteteve. Ajo thotë se për të parë efikasitetin e dialogut disavjeçar me Serbinë duhet të shihet gjendja para dhe pas dialogut në veri të vendit.
“Jam optimiste, sepse që gjashtë vjet e udhëheq dialogun e Brukselit dhe prej 33 marrëveshjeve, 29 prej tyre zbatohen mirë dhe jo vetëm nga ne, por edhe nga Serbia. Kanë shuar një pjesë të madhe të strukturave paralele. Aty këtu ndodhin probleme por përgjithësisht ka normalizim. Së shpejti do të shtrijmë edhe sistemin e drejtësisë dhe ftoj opinionin për të parë se çfarë rezultate ka dhënë dialogu. Duhet të shohim gjendjen para dhe pas dialogut. Para dialogut nuk kemi mundur as të ecim në veri e sot kemi shtrirje të plotë të sovranitetit”, ka thënë ajo.
Tahiri ka shtuar se është keqkuptuar në Komisionin për qeverisje lokale kur kishte folur për listat e të zhdukurve nga lufta e Kosovës. Ajo ka thënë se ishte duke folur për listën që BE-ja kërkoi Serbisë për vendndodhjen e të zhdukurve dhe jo për emrat e tyre, sepse kjo tashmë ishte dorëzuar na pala kosovare.
“Në fakt, ashtu siç e thash në Komision, më 2011 kishim një raund bisedimesh për çështjen e të pagjeturve, sepse ishim të interesuar që të zbardhej plotësisht fati i tyre. Pas një raundi bisedimesh ne paraqitëm listën e emrave të të zhdukurve, por në fund të takimit, BE kërkoi që Serbia të dorëzojë listën e të zhdukurve në kuptimin se ku janë. Fjala është për dy lloje listash, por deputetët nuk e kuptonin. Kosova ka listën e të pagjeturve, ne e dimë kush janë të zhdukurit, por Serbisë i ka takuar që të japë listën se ku janë ata. Serbia i ka zhdukur dhe e di ku janë të zhdukurit. Kemi thënë shumë herë që Serbia duhet të hapë listat, por ata nuk janë të gatshëm. BE kërkoi nga Serbia që ta dorëzojë listën se ku janë të zhdukurit. Atë ditë në Kuvend unë fola për listën se ku janë të zhdukurit, por një deputet që nuk e kuptoi, e mori kinse listën se kush janë të zhdukurit”, ka shtuar ajo.
Tahiri ka folur edhe për arrestimin e Nehat Thaçit, drejtor i Policisë rajonale për Mitrovicën, duke thënë se “kur Serbia sillet keq edhe ne duhet të jemi reciprokë”.