Editorial i Gazetës Express: Turp

Terrorizmi lind kështu: Kur shteti dështon që t’i marrë përsipër obligimet kushtetuese, atëherë këtë gjë provojnë ta bëjnë qytetarët, me mjetet që ata i kanë në dispozicion, duke mos e çarë kokën për pasojat.

Po qarkullon nëpër internet një video në të cilën disa të rinj shqiptarë po e aktivizojnë një minë, më anë të së cilës dëshirojnë ta hedhin në ajër trenin që është nisur nga Beogradi për në Kosovë, e i cili bartë në vete parulla provokuese dhe të papranueshme.

Po të ndodhte një gjë e tillë, po të hidhet treni në ajër, atëherë kjo do të ishte fitorja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare në 20 – 30 vitet e fundit. Ky do të ishte një akt i pastër terrorist. Askush nuk do të ishte i gatshëm që t’i dëgjonte arsyet politike.

Dhe zakonisht terrorizmi lind në këso forme. Kur shteti dështon që t’i marrë përsipër obligimet kushtetuese, kur shteti dështon që ta mbrojë integritetin territorial, atëherë këtë gjë provojnë ta bëjnë qytetarët, me mjetet që ata i kanë në dispozicion, duke mos e çarë kokën për pasojat.

Reputacioni i Republikës së Kosovës tashmë është në një rënie të lirë. Vendi ynë kurrë nuk ka qenë në krizë më të madhe të lidershipit. Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit në mënyrë të pashpresë po ju qasen problemeve. Janë të mefshtë dhe të padhëmbë përballë provokimeve të njëpasnjëshme. Të mos flasim pastaj për çfarëdo plani për t’u përballur me ndryshimet në politikanë globale.

Brenda disa javësh vendi i ka pranuar tri provokime të rënda nga qeveria e Serbisë, ku secila prej tyre do të ishte e denjë për një përgjigje meritore serioze shtetërore.

Fillimisht ishte çështja e ndërtimit të një muri, ose pengese, në pjesën veriore të Mitrovicës. Ajo ndodhte fillimisht ishte si një ide e çmendur dhe pa të ardhme, por gjithashtu mund të thuhet se ishte një lloj testimi i ujit. Nëse nuk do të ishte shumë i ftohtë – duket që nuk ishte – atëherë ata sigurisht do të shkojnë më larg me idenë.

Më pas ndodhi rasti Haradinaj. Serbia vazhdon ta rrënojë kredibilitetin e Kosovës, 20 vjet pasluftës, duke i paraqitur udhëheqësit e saj si kriminelë lufte. Një gjë e tillë për opinionin perëndimor do të dukej qesharake po të ndodhte në vitin 1999 ose atë 2000. Në atë kohë të gjithë e dinin se kush ishte agresori e kush ishte viktima. Por tash kjo gjë nuk është shumë e qartë. Nëse mediat e Francës zbardhin me lajmin që Ish – kryeministri i Kosovës arrestohet për krime lufte, të paktë janë ata që do të futën ta shohin kontekstin.

Dhe tash së fundmi po na vjen provokimi më masiv i mundshëm. Një provokim që shihet nga aeroplani. Një tren në formë billbordi. Një tren ruso – serb, në të cilin në të gjitha gjuhet kryesore të botës shkruhet, në mënyrë cinike edhe në gjuhën shqipe, se Kosova është Serbi.

Nëse institucionet tona vazhdojnë të heshtin, atëherë ato janë pjesëmarrëse në këtë krim. Në dhunim të Kushtetutës. Ata duhet të mbahen përgjegjës. Në mënyrë indirekte po e shtyjnë vendin tonë në drejtim të terrorizmit.

SHKARKO APP