Efekti i taksës: Kosova tani merr veç një gjë nga Serbia

Katër javët e para që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, kanë dëshmuar rënie të lartë të importit të këtyre mallrave në tregun e Kosovës.

Sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, nga data 21 nëntor, kur ka filluar të zbatohet vendimi i Qeverisë se Kosovës, nga këto shtete janë zhdoganuar 174 kamionë, kryesisht lëndë e parë për prodhuesit kosovarë, të cilët kanë paguar taksën mbrojtëse mbi 290 mijë euro.

Kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë kishin hyrë nga 2800 deri në 3000 maune me produkte të ndryshme, me një vlerë prej 35 milionë eurosh. Këtu janë përfshirë edhe maunet me produkte nga këto dy shtete, por edhe ato ndërkombëtare të prodhuara në Serbi dhe Bosnje, ka treguar për Radion Evropa e Lirë, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Përfaqësues të komunitetit të prodhueseve në Kosovë janë shprehur se tarifa doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës i ka dhënë efektet e veta në ekonominë e përgjithshme të Kosovës. Një nga efektet, sipas tyre, është rritja e prodhimit vendor.

SHKARKO APP