Eichhorst: Kosova dhe Ballkani Perëndimor, perspektivë europiane

Kosova dhe Ballkani Perëndimor, në përgjithësi kanë perspektivë europiane dhe të gjitha vendet e rajonit duhet që fillimisht të bëjnë më shumë në zbatimin e kritereve për anëtarësim. Kështu tha dje në Prishtinë, në takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, zëvendësdrejtoresha menaxhuese për Europë dhe Azinë Qendrore dhe drejtoresha për Europën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Europian, Angelina Eichhorst.

Ajo tha se Kosova duhet të angazhohet në përmbushjen e obligimeve të saj që do ta hapnin rrugën e integrimeve dhe veçanërisht procesin e liberalizimit të vizave. Në takimin Haradinaj-Eichhorst u bisedua për axhendën europiane të Kosovës dhe zbatimin e reformave në vend.

Kryeministri Haradinaj tha se qeveria e Kosovës është e angazhuar në përshpejtimin e zbatimit të Axhendës së Reformave Europiane dhe operacionalizimin e veprimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që do të mundësojë përafrimin e vendit me BE-në.

Ai tha se rruga e integrimeve europiane për Kosovën është e qartë dhe se puna e qeverisë është e përqendruar në sundimin e ligjit, reformat në fushat e ndryshme, rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të përmbushë obligimet e saj bazuar në marrëdhënien kontraktuale me BE-në dhe theksoi rëndësinë që ka për qytetarët e vendit lëvizja e lirë dhe pa viza.

Ai tha se me ndryshimet në komisionin për çështjen e demarkacionit procesi do të lëvizë shpejt dhe do të jetë plotësisht transparent. Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e angazhuar në ruajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe njëkohësisht ka treguar gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si alternativë të vetme, por të ristrukturuar dhe të afatizuar në kohë si dhe me përmbushje të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, priti dje Angelina Eichhorst në takim ku u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimit evropian të saj dhe hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces. /a.g/

SHKARKO APP