Ekspertët ndërkombëtarë për kufirin me Malin e Zi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është vënë në përpjekje për të përmbyllur nismën e saj për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për të shqyrtuar marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Burime brenda presidencës thonë se komisioni pritet të përbëhet nga tre anëtarë, ekspertë nga Amerika, Britania e Madhe dhe Gjermania.

 Nisma që mund të jetësohet në fillim të javës së ardhshme, po pret konfirmimin e këtyre ekspertëve për të filluar këtë proces.

Çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë bërë që partitë opozitare të bllokojnë punën e parlamentit, duke hedhur edhe gaz lotsjellës në sallën e tij.

Të njëjtën gjë e ka paralajmëruar edhe për nesër, nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi, kur pritet të mbahet séanca e radhës së parlamentit të Kosovës.

Dy partitë e tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë duke shqyrtuar mundësinë e braktisjes së parlamentit, sipas shembullit të kryetarit të Aleancës për Adrhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili muajin e kaluar hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Seanca e nesërme është e para që nga zgjedhja e presidentit të ri të vendit Hashim Thaçi, zgjedhje kjo që është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare të cilat edhe dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për një opinion rreth procedurës së zgjedhjes së tij.

Opozita ka paralajmëruar për këtë muaj edhe mbajtjen e një proteste për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

Qeveria kërkon nga opozita që shqetësimet e saj të debatohen në institucione, ndërsa akuzon atë për përpjekje të marrjes së pushtetit me dhunë.

Partitë opozitare mohojnë një gjë të tillë duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

SHKARKO APP