Ekzekutohet me 3 plumba lideri serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç

Lideri i iniciativës qytetare ”Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, është ekzekutuar me armë zjarri në Kosovë, teksa është qëlluar me katër plumba në gjoks. Mediat fqinje raportojnë se politikani serb nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të rënda të marra gjatë të shtënave në veri të Mitrovicës.

Mediat serbe kanë dhënë lajmin për vdekjen e tij, teksa sqarojnë se nuk iu ka mbijetuar dot plagëve të marra, pavarësisht mjekimit. Ai u dërgua me urgjenc në sallën e reanimacionit, në gjendje shumë të rëndë, dhe ishte në duart e mjekëve më të mirë të Mitrovicës, si dhe të ekspertëve nga Beogradi, por mbylli sytë përgjithmonë.

Mësohet se Ivanoviç është sulmuar nga persona të panjohur, të cilët e kanë qëlluar me katër plumba, teksa ai po hynte në ambientet e partisë së tij. Menjëherë kanë nisur hetimet, ndërsa nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes së rëndë dhe autorët e krimit.

Oliver Ivanoviç, u dënua disa herë me paraburim që nga viti 2014 nga Gjykata e Mitrovicës, pasi akuzohej për krime lufte, ndërsa në vitin 2017 u la i lirë, duke mbyllur kështu problemet me drejtësinë. Pasi fitoi lirinë, Ivanoviç bëri dhe një deklaratë të papritur për shqiptarët, teksa tha se Serbia i ka nënçmuar pa të drejtë, duke shprehur vlerësim për historinë, kulturën dhe traditat e tyre.

SHKARKO APP