Emigrantët mbajnë peng rezultatin
Javën e ardhshme pritet publikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kjo pasi deri të premten e kësaj jave pritet të përfundojë rinumërimi i 494 vendvotimeve.
”Procesi i rinumërimit të vendvotimeve është duke vijuar sipas dinamikës së paraparë në QNR. Janë gjithsej 28 tavolina pune ku po zhvillohet procesi i rinumërimit të vendvotimeve. Besojmë që do të përmbyllet deri të premten në mbrëmje dhe pastaj gjatë vikendit besojmë që do të mund të fillojmë me procesin tjetër të numërimit të fletëvotimeve me kusht dhe votave nga jashtë vendit”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Deri më tani janë rinumëruar 15 për qind e tyre apo 76 nga 494. Sidoqoftë, rinumërime mund të ketë edhe pas shpalljes së rezultateve nëse do të ketë ankesa në PZAP dhe Gjykatën Supreme. Paralelisht po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të 43 mijë e 500 pakove të ardhura nga diaspora. Deri më tani janë aprovuar 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara.