Ende plagë e hapur, kush janë 1,643 të pagjeturit në Kosovë
Jetët e personave të pagjetur si pasojë e konfliktit të fundit në Kosovë, përgjatë viteve janë kthyer në numra.
Shumë rrallë flitet për identitetin dhe prejardhjen e tyre.
Përmes kësaj harte, Radio Evropa e Lirë ka tentuar të vendosë mbrapa numrave, emrat, vitin e lindjes, vendin e lindjes dhe rajonet ku janë parë ata për herë të fundit. Emrat e të pagjeturve në hartë janë kategorizuar në bazë të vendit të tyre të lindjes.
Edhe 21 vjet pas konfliktit, familjet shqiptare, serbe dhe ato të nacionaliteteve tjera, janë ende në pritje për të kuptuar më shumë për më të dashurit e tyre.
Të dhënat e pagjeturve janë siguruar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Të lindur ose të zhdukur jashtë Kosovës- KLIKO
Pa njohuri për vendin e lindjes–KLIKO
Thaçi: Çështja e të pagjeturve, turpi i bashkësisë ndërkombëtare
Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se çështja e të pagjeturve është turpi i bashkësisë ndërkombëtare dhe është për keqardhje që Serbia po e politizon edhe zbardhjen e fatit të tyre.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për t’i bërë presion Serbisë dhe për ta zbardhur fatin e të pagjeturve dhe çdo krim të kryer në Kosovë”, ka shkruar Thaçi në Facebook, duke shtuar se nuk do të ndalen asnjëherë së kërkuari që të zbardhet fati i tyre.
“Nuk do të ndalemi asnjëherë së kërkuari drejtësi për çdo viktimë, për çdo të zhdukur, për çdo familje”, ka shkruar Thaçi.