Engel kritikon opozitën në Kosovë

Në një shkrim të botuar në Huffington Post, me titull “Ta mbajmë Kosovën në rrugën e demokracisë”, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, kritikon opozitën se i ka tejkaluar të drejtat e saj të shprehjes së lirë.

Zoti Engel thotë se ai ka qenë dëshmitar i ecjes së Kosovës nga lufta drejt paqes dhe nga tirania drejt lirisë.

Për fat të keq, shkruan ai, mosmarrëveshjet i kanë kaluar kufijtë e një debati të gjallë demokratik. Të hedhësh vezë kundër ministrave, të hedhësh gaz lotsjellës në Parlament, ose t’u vësh zjarrin një ndërtese qeveritare, këto nuk janë pjesë e shprehjes së lirë. Ato nuk janë pjesë e të drejtave të garantuara të një opozite, shkruan zoti Engel.

Në prag të 9 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kongresmeni Engel u bën thirrje udhëheqësve të saj të kalojnë nga konfrontimi në negociata. Ai u bën thirrje me forcë të gjithë njerëzve në Kosovë të dënojnë dhunën, të përqafojnë dialogun paqësor dhe të fuqizojnë parimet e demokracisë.

Zoti Engel thotë gjithashtu se ekziston një tabllo më pozitive dhe arsye për optimizëm në Kosovë. Ai përmend një sërë projektesh në Kosovë, mes të cilave edhe faktin që Kosova ka nënshkruar tashmë një marrëveshje të Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

SHKARKO APP