Enver Hoxhaj: Serbia “Kali i Trojës” në Ballkan për Europën. Shqetësime serioze ndërhyrja ruse dhe kineze
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj deklaron se Europa duhet të shqetësohet dhe të reagojë ndaj raporteve të fundit serbo-ruse
Në një intervistë për RTV Ora Hoxhaj tha se europianët duhet ti bëjnë të qartë Serbisë se nuk mund të ulet në dy karrige, ashtu siç e bëri dhe Amerika.
Enver Hoxhaj: Por ajo që po ndodh me raportet serbo-ruse kohët e fundit ku mendohet se ministri i Jashtëm Lavrov viziton Serbinë ndërsa më 24 qershor Vuçiç udhëton drejt Moskës,tregon që Beogradi dhe Serbia mbesin një “kal i Trojës” në Ballkan dhe për ne është shqetësim serioz, por kjo është një temë ku mbi të gjitha europianët duhet të ushtrojnë autoritetin e tyre, meqë Serbia është një vend i cili synon të anëtarësohet në BE dhe do të duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE.
Dhe politika serbe pro ruse në raport me rajonin e Kosovën, por dhe temat europiane mbi të gjitha do të ketë një çmim për vetë Brukselin. Amerikanët kanë qenë të qartë që Serbia nuk do të duhet të ulet në dy karrige, por këtë duhet ta thonë dhe europianët.
Hoxhaj flet me shqetësim dhe për një ndërhyrje kineze në Ballkan
Enver Hoxhaj: “Në këto muajt e fundit të pandemisë kemi parë një ndërhyrje kineze në Ballkan përmes fuqisë së butë, ku ata synonin që temën e pandemisë ta përdorin si një platformë për të krijuar një imazh të ri për veten në rajon. Këto janë tema serioze që mund ta stabilizojnë Ballkanin, apo ajo cfarë po ndodh me kishën ortodokse serbe në Mal të Zi, që është një platformë serbe e ruse për ta kontestuar legjitimitetin e qeverisë dhe orientimin e saj pro evropian, janë shqetësime serioze që duhet ta kemi secili prej nesh qoftë në Kosovë e Tiranë. ”
Sa i takon deklaratës së presidentit rus, Vladimir Putin se asnjë vendim nuk mund të merret pa Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Hoxhaj dha këtë qëndrim: ”Ndërmjetës të vetëm në proces janë amerikanët e europianët, por natyrisht në Këshill të Sigurimit kur të arrihet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë dhe të kalojë në Kuvendet e secilit shtet dhe dy qeveritë e mbështesin, rusët e kinezët nuk mund të dalin në KS përmes kësaj marëveshjeje.