EULEX-i në Kosovë deri më 15 qershor 2018

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe ndryshimin e ligjeve që lidhet me vazhdimin e mandatit të EULEX-it në vend. Kryeministri Isa Mustafa tha se qeveria ka arritur marrëveshje me BE-në për një gjë të tillë.

“Ne kemi arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian lidhur me vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it. Mbrëmë e kemi marrë edhe letrën kthyese të përfaqësueses së BE-së, Froderika Mogerinit, prandaj kemi proceduar edhe një herë me këto dy projektligje të cilat janë të harmonizuara me letrën e presidentit dhe me BE-në dhe po ashtu pika 4 dhe 5 ndërlidhen me çështjen e autobusëve të Komunës së Prishtinës që është bërë mos me thënë bisedë shumë e madhe publike por për të cilën tani janë përfunduar procedurat meqenëse KK i Prishtinës e ka dhënë gradacionin i cili e ka marrë përsipër që t’i kryej obl igimet në qoftë se atë nuk e kryen Trafiku Urban dhe vendimi i Kuvendit të Komunës është vërtetuar nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, prandaj tani janë plotësuar të gjitha kushtet që të procedohet”, citohet të ketë thënë ai.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e prezantoi shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe bashkimit Evropian mbi misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Tanimë janë arritur instrumentet e duhura në mes të letrës së presidentit të Republikës së Kosovës të dërguar më 9 qershor të këtij viti, zonjës Mogherini dhe konfirmimit të saj dje po ashtu për përmbajtjen e letrës të dërguar nga presidenti, andaj duke e shfrytëzuar traditën e mëhershme, kemi proceduar edhe me këto ligje. Ky ligj do ta ratifikoj ketë marrëveshje ndërkombëtare që ka për bazë shkëmbimin e instrumenteve në mes të vendit tonë dhe BE-së.

Natyrisht, ky ligj do të përfshijë gjithsesi zgjatjen e mandatit të EULEX-it të paraparë me marrëveshje deri më 15 qershor 2018, si dhe delegimin e autoritetit për emërimin gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtare të përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në përputhje me nenin 20, duke administruar procesin e konfirmimit nga presidenti i republikës. Natyrisht edhe stafi ndërkombëtare këtu do ta ketë të garantuar imunitetin sipas konventës së Vjenës dhe kjo marrëveshje ndërkombëtare do të jetë pjesë e ligjit”, tha ai, derisa qeveria e miratoi atë.

Po ashtu, Kuçi e propozoi edhe shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Republikën e Kosovës.

SHKARKO APP