“Europa pjesërisht e ka harruar ç’ka ka bërë Serbia në Kosovë”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në Zona B të Klan Kosovës, ka thënë se një pjesë e europianëve e kanë harruar krimin që Serbia ka bërë në Kosovë, ndaj e sheh vendin si shtet problematik në kontinentin e vjetër.

Këtë koment ai e ka dhënë duke komentuar vizitën në Britani të Madhe, me ftesë të Partisë Laburiste, dhe qëllimet e saj, njofton Klan Kosova.

“Ka shumë në Europë që kanë harruar cfarë ka bërë Serbia dhe e shohin Kosovën si shtet problematik. Duhet të qartësohet që shteti fqinj është ende agresiv në raport me Kosovën dhe se vazhdon të ndjekë politikë të ngjashme me atë të viteve të paraluftës”.

“Ka pasur një keqinformim gjithandej nëpër Europë për Lëvizjen Vetëvendosje, që burimin e ka në Prishtinë, në mënyrë që të dëmtohet kontakti jonë me parti tjera në kontinent. Është e rëndësishme që ta kemi parasysh se me kontakte të drejtpërdrejta ne duam ta luftojmë propogandën serbe në raport me Kosovë”.

Ai ka thënë se ndër të tjera synojnë t’i bindin ndërkombëtarët se dialogu me Serbinë nuk i normalizon marrëdhëniet ndërshtetërore, por po i keqëson ato, duke marrë shembull ndërtimin e murit dhe trenin me simbole nacionaliste.

Sipas liderit të Vetëvendosjes, dy vendet duhet të ketë raporte të mira, si domosdo e ecjes përpara, por vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe reciprocitetin ndërshtetëror.

“Në takimet tona direkte, shumë njerëz që mund të kenë pasur keqinformim, e kanë kuptuar se Lëvizja Vetëvendosje e do Kosovën shtet të lirë nga krimi dhe korrupsioni dhe i pavarur nga Serbia. Është synim yni që t’i bindim edhe të tjerët që dialogu me Serbinë nuk ndihmon në raportet mes dy vendeve, por është duke i përkeqësuar ato. Është në interes të serbëve të Kosovës që vendi të jetë shtet i fuqishëm, sepse kështu ua garanton edhe të drejtat atyre, edhe aspektin ekonomik. Pra interesat e serbëve të Kosovës janë të mospërputhshme me ato të Serbisë. Ne normalisht që duhet të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë, por vetëm nëse ajo e njeh pavarësinë e Kosovës”. /klankosova.tv

SHKARKO APP