Festat e fundvitit, në Luginë të Preshevës

 Pallati i Kulturës, në Bujanoc, në bashkëpunim me Shoqëritë Kulturore Artistike “Zëri i Luginës “ dhe “Shqiponjat”, për festën e motmotit, kanë përgatitur një “koncert festiv”, me një program të begatë kulturor…

Nga Sevdail Hyseni

Nata më e gjatë e vitit, që njihet si festa e motmotit, i gjen shqiptarët e Luginës së Preshevës, më të organizuar se asnjëherë më parë!

Përgatitjet për ta shënuar ndërrimin e vitit, kanë filluar para disa ditësh, të cilat po reflektojnë atmosferë gëzimi e festimi.

Qytetet, sheshet, rrugët, kanë filluar të stolisen dhe të zbukurohen me lloj – lloj dritash e ngjyrash. Gjithashtu, nëpër trotuare vërehen stërshitës të balonave me ngjyra, kartolinave, fishekëzjarreve dhe petkave të Babadimrit.

Po, Babadimrat “mobil”, me thasët e tyre të dhuratave lëvizin, gjithandej, për t’i gëzuar fëmijët në rrugë e shkolla, nëpër çerdhe e institucione të tjera lokale.

Pallati i Kulturës, në Bujanoc, në bashkëpunim me Shoqëritë Kulturore Artistike “Zëri i Luginës “ dhe “Shqiponjat”, për festën e motmotit, kanë përgatitur një “koncert festiv”, me një program të begatë kulturor. Në këtë eveniment kulturor pritet të marrin pjesë përfaqësues të jetës institucionale, qytetarë e bashkatdhetarët, të cilët vetëm se kanë filluar t’i gjallërojnë rrugët me praninë e tyre.

Ndërsa zyra për të rinj, në Preshevë, për herë të parë, në historinë e kësaj komune, për festën e fundvitit, ka organizuar “parkun festiv” në qendër të qytetit, i cili do të shoqërohet me aktivitete të ndryshme për të gjitha moshat.

Lugina e Preshevës, natën gazmore të Vitit të Ri, nuk do ta pret vetëm në ambiente të hapura e restorante luksoze, por edhe nëpër ambiente të ngrohta familjare.

Në vigjilje të Vitit të Ri, kanë filluar të shpërthejnë mesazhe urimi, të shtrohen koktej, të organizohet takime partiake e institucionale si dhe të thirren konferenca shtypu, duke dhënë raporte në përmbyllje të vitit, pa lënë anash sukseset dhe ngecjet, gjatë vitit, të cilin po e lëmë prapa.

Revista e vetme “Nacionali”, organ i Këshillit Kombëtar Shqiptar, pas një pauze gati dyvjeçare, del para lexuesve me Kalendarin vjetor dhe mesazhet e liderëve institucionalë me rastin e festave të fundvitit, nëpër të cilat përshkruhet një dozë optimizmi se viti paraprak, do të sjell ndryshime në jetën me probleme të qytetarëve të Luginës.

“Politika e Luginës së Preshevës, në vazhdimësi, ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve, që Serbia ndërkombëtarisht i ka marrë për sipër për t’i realizuar, por në fakt i injoron ato, duke vazhduar diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve”, shprehet për numrin festiv të “Nacional” it, Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar. Por, shton, ai, në vazhdim, me bindjen “se nuk janë shterur të gjitha mundësitë dhe ka hapësirë politike, që edhe më me ngulm të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje nga se është esenciale në ruajtjen, mbrojtjen dhe avancimin e substancës kombëtare shqiptare”.

Objektivat e KKSH-së, të cilin, ai,e drejton, mbeten edhe më tej që të sigurohet përdorimi i teksteve mësimore për nxënësit e shkollimit fillor e të mesëm. Të pranohen vetëm tekstet e botuara në Prishtinë ose Tiranë pa asnjë alternativë tjetër. Të mbrohet gjuha, shkrim, kultura, tradita, historia dhe informimi shqip në Luginë të Preshevës, duke ruajtur gjithsesi edhe vlerat e luftës së lavdishme të UÇPMB-së, si dhe mbajta edhe më tutje në fuqi e verdiktit të shprehur të popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, në Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992.

Me mesazhe urimi, shoqërohet edhe njeriu i parë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili ka sjell risi në buxhetin komunal, i cili për dallim nga ai i mëparshmi, veçohen jo vetëm për nga lartësia e arkës buxhetore, por edhe për nga mënyra e shpërndarjes së tyre, që do t’u bëhen subvencionimit për bujqësi dhe bizneset lokale. Edhe në Komunën e Preshevës, buxheti i ri komunal erdhi me një qasje të re, me një politikë të re, nën moton: “Arsim cilësor, ekonomi të qëndrueshme”.

Ndërsa për kryetaren e Kuvendit komunal të Preshevës, Ardita Sinani, “Viti i Ri, ofron dhe mundësi të reja për të arritur qëllime, sfida dhe ndryshime, gjë që është gjithmonë e mirëpritur nga të gjithë. Familja dhe miqtë bëhen edhe më të dashur në një festë si kjo, ndaj edhe i meritojnë mesazhet më të bukura për Vitin e Ri.

Uroj që Viti i Ri, të na japë forcën për të përballuar sfidat e jetës dhe kurajën për të qetësuar ujërat e për të pasur gjithçka nën kontroll në çdo hap, që do të ndërmarrim! Urimet më të përzemërta për fëmijët, që e presin me padurim këtë festë. Gëzuar!”

Mesazhe urimi vijnë edhe nga Medvegja, komuna më e vogël e Luginës së Preshevës, e cila edhe në ato kushte me çfarë përballet, gjen dromca gëzimi për ta festuar natën e Vitit të Ri.

“Vitin që po e lëmë prapa, na dha kënaqësinë se u krijuan biznese të reja, u shënuan rritje ekonomike, u ndërtuan disa rrugë e rinovuam disa shkolla, që po zgjerojnë faqen e perspektivës së qytetarit tonë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se na duhet ende shumë punë që qytetari ynë të jetë më i pasur dhe më i lumtur. Duhet të bëjmë ende më shumë në arsim, shkencë, kulturë e shëndetësi. Të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët. T’u jemi më afër dhe të investojmë më shumë për fëmijët dhe të rinjtë. Në aspektin ekonomik, besojmë që, së bashku me institucionet, organizatat dhe me bizneset, do të punojnë edhe më shumë për t’i përballuar sfidat e shumta, me të cilat mund të ndeshemi vitin që vjen, aq më tepër kur kriza ekonomike ka prekur edhe vendet më të fuqishme të globit”, shprehet nënkryetarja e Komunës së Medvegjës, Leme Xhema.

Në vazhdim del apeli i zonjës Leme, në formë mesazhi: “Në këtë çast kremteje, i bëj thirrje gjithë shoqërisë sonë që të jetë më afër njerëzve që u duhet ndihma, të cilët kanë nevojë për përkrahje, dashuri, dhe kujdes. Dora e ndihmës për këtë shtresë të qytetarëve tanë duhet të jetë përherë e zgjatur, që edhe ata të kenë mundësinë e qasjes dhe të kontributit të tyre në zhvillimet e përgjithshme të shoqërisë sonë. Bashkëqytetarë ju uroj që viti 2017 t’ju sjellë ju dhe familjeve tuaja dashuri, mbarësi dhe paqe. Në fund, më lejoni të gjithë qytetarëve të Komunës se Medvegjës, brenda e jashtë atdheut tonë të dashur, t’u shprehë edhe njëherë urimet e mia të përzemërta!”

Ndërkaq, opozita në Luginë të Preshevës, në pamundësi për të organizuar kokteje e manifestime politike e kulturore, ka organizuar konferenca me gazetarë, të cilat u shoqëruan me një numër më pak simbolik të medieve, gatis e ata bënë konferencë me vetvete.

Opozitarët, në prag të motmotit, kanë kritikuar qeverisjet lokale në Luginë të Preshevës, kinse me veprimet e tyre “kanë punuar kundër interesave të shoqërisë shqiptare”. Megjithatë, për dallim nga Presheva, opozita në Bujanoc, luan në dy “karta”, thënë shkurt në dy “binarë”. Kjo opozitë ndryshe vepron në Bujanoc e ndryshe në Medvegjës, duke treguar një mungesë të moralit politik, të cilin ka filluar ta humbu akoma pa mbushur një vit nga jeta opozitare.

Si do që të jetë pozitë dhe opozitë, së bashku me qytetarët e të gjitha shtresave, kanë hyrë në vigjilje të Vitit të Ri, secili në stilin e vet për ta festuar ndërrimin e motmoteve, me masazhe urimi e përgëzimi, Gëzuar 2017-a !

SHKARKO APP