Filarmonia e Kosovës, gati programi për përvjetorin e Kosovës shtet

Trupa e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës ka filluar përgatitjet për koncertin madhështor, i cili do të mbahet për nder të kremtes së shtatë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Formacioni i orkestrës shtetërore në mbrëmjen e 17 shkurtit nga ora 18:00, në sallën e quajtur Beethoven, të hotelit Emerald, do të performojë veprat e kompozitorëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë. Në këtë koncert solemn përballë mysafirëve të shumtë, politikës vendase dhe korit diplomatik ndërkombëtar, Filarmonia e Kosovës do të interpretojë veprat muzikore shqiptare të kompozitorit Thoma Gaçi “Valle Simfonike”, Valon Beqirit “Në shpirtin e traditës” dhe Çesk Zadeja “Suitë simfonike” e marrë nga muzika e filmit të famshëm kushtuar heroit kombëtar, Gjerjgj Kastritoti Skënderbeu.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari për portalin kosovar, KultPlus është shprehur se, koncerti protokollar i institucionit kulturor, që drejton do të vijë i organizuar nën kujdesin e Qeverisë së vendit dhe do të jetë pjesa kryesore e manifestimi qendror-kulturor dedikuar përvjetorit të shtatë të shtetësisë së Kosovës. “Në programin e koncertit solemn do të jetë edhe një fragment tejet i rëndëshishëm i marrë nga vepra muzikore e kompozitorit anglez Karl Jenkins “Njeriu më armë- mish për paqe”. Kjo vepër muzikore është shkruar nga Jenkins gjatë vitit 1999, atëherë kur Kosova ishte në luftë dhe këtë ia dedikon siç thotë ai “të gjitha viktimave të luftës së Kosovës”, theksoi Jashari, i cili bëri me dije se pikërisht kompozitori anglez do të jetë i pranishëm si mysafir special në premierën e tretë për këtë sezon të Filarmonisë së vendit më datë 15 mars, ku pritet të dekorohet me medalje edhe nga presidentja aktuale Atifete Jahjaga.

“Tashmë është konfirmuar pjesëmarrja e kompozitorit Jenkins, ndërsa presidentja Jahjaga do t’i dhurojë një mirënjohje në shenjë respekti për veprën, të cilën e ka kompozuar për viktimat e luftës së fundit të Kosovës”, pohoi Jashari, i cili do të drejtojë orkestrën e Filarmonisë në këtë koncert.

Pesë ditë më vonë, më datë 22 shkurt, pritet të realizohet premiera e dytë për këtë vit e Filarmonisë së Kosovës, e ku do të mbahet në Sallën e Kuqe në kryeqytet. Siç deklaroi drejtori Jashari, në premierën e dytë të Filarmonisë së shteti, dirigjent i asaj mbrëmje do të jetë japonezi Toshio Yanagisaëa, që ka një bashkëpunim frytdhënës me orkestrën në fjalë, kurse në piano do të jetë pianistja Lule Elelzi. Në program pritet të jenë veprat muzikore të gjermanëve Ludëig van Beethoven, Felix Mendelssohn, si dhe të austro-hungarezit Franz von Suppé.

 

SHKARKO APP