“Fisi për dasma!” Kurti shkakton të qeshura me historinë e Ministrit: E pamja për burra në Qeveri, për gra në Telekom

Albin Kurti, kandidati për kryeministër i Kosovës nga Vetëvendosja i ka shpallur luftë nepotizmit në betejën për të qeverisur vendin pas 14 shkurtit.

Gjatë një takimi elektoral, Kurti tha se Kosova ka nevojë që të përfaqësohet me njerëz të ndershëm dhe të ditur.

“Nuk mund të mbushim ambasadat dhe as ministritë me kushërinj, kushërinjtë janë për te shtëpia, familja te shtëpia. Nuk mund të shkojë askush me fisin, fisi është për dasmë. Nuk ka dasma në ministri.”

Për të konkretizuar këtë deklaratë, Kurti e tregoi në formë barcaletë rastin e një ministri që kishte pasur një rast vdekje.

“Njëri nga ministrat kishte një rast vdekje, i kishte vdekur prindi i moshuar. Po bëjnë hajgare në Prishtinë, hajgare prej zorit se është e vërtetë, thanë e pamja për burra në qeveri, për gra në Telekom. Se i kanë marrë krejt, të tjerët çfarë të bëjnë? Kush nuk i ka diçka ata, nuk ka jetë këtu, duhet me e lëshu këtë vend.”

Për forcimin e Kosovës shtet Kurti ka një tjetër filozofi.

“Nuk e bëjmë ne shtetin dhe progresin për disa familje, e bëjmë për të gjithë pa dallim. Njeriut do t’ja shohim punën, nderin, përgatitjet por jo mbiemrin”.

Qytetarët e Kosovës do ti drejtohen kutive të votimit me 14 shkurt për të zgjedhur kuvendin e ri dhe qeverinë.

“Fisi për dasma!” Kurti shkakton të qeshura me historinë e Ministrit

SHKARKO APP