Fitoret dhe sfidat e lëvizjes Vetëvendosje!

Viti 2017 është viti elektoral që tregoi më së miri sfidat dhe fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Zgjedhjet politike dhe ato lokale treguan qartazi  se kjo Lëvizje është forca e vetme politike reale aktuale në Kosovë…

Nga Marjana Doda

Lindi si një lëvizje, por domosdoshmërisht dhe si një imperativ i kohës. Jo më shumë si atavizëm i politikës së vjetër, por si një vrull dhe optimizëm për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Ajo lindi në zjarrin e luftës,  jo për tëruajtur hirin e saj, por duke mbajtur ndezur flakën  e lirisë dhe prosperitetit. U bë pishtar në zemrat e kosovarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre kudo në Kosovë, por jo vetëm, dhe pse tërë kohën u ndesh dhe ndeshet me sfida, e rrethuar nga egoizmi dhe xhelozia politike.

Hapat e vështira por të sigurta do fillonin që nga viti 1997 me Rrjetin e Aksionit për Kosovën(KAN), me aktivistin e Unionit të Pavarur Studentor, Albin Kurti, i cili në prill 1999 do të arrestohej nga policia serbe duke u dënuar me 15 vite burg për kontributin e tij për UÇK-në në luftën për çlirimin e Kosovës, për tu arritur më 12 qershor 2005, ku KAN do shëndërrohej në lëvizjen më të fuqishme në Kosovë, në LëvizjenVETËVENDOSJE! Kjo Lëvizje do të shndërrohej në simbol shprese dhe ndryshimi si dhe do ndeshej me “të fortët” që dolën nga e kaluara dhe hiri i luftës. Djem e vajza, burra e gra, intelektualë dhe patriotë të Kosovës  me vizione të qarta atdhetare  do të mbushnin rrugë dhe sheshe, do depërtonin në çdo familje e zemër kosovare me qëllimin e vetëm se kjo Lëvizje do ishte e ardhmja e tyre. Në këto protesta e burgime do të sakrifikonin jetët e tyre për sovranitetin e Kosovës aktivistët Arben Xheladini, Mon Balaj e Astrit Dehari që po shërbejnë si një flamur për një të ardhme më të ndritur.

Historia botërore njeh lëvizje e lider që janë shtypur me zjarr e hekur por kanë dalë fitimtarë. Ashtu lindi dhe kjo Lëvizje, lideri dhe aktivistët e saj  do kërkonin me ngulm dhe do të rezistonin për çështje të rëndësishme të Kosovës, për pavarsinë e sovranitetin e saj, për luftën kundër korrupsionit e nepotizmin politik në dëm të qytetarëve të saj. Për Zajednicën, për demarkacionin dhe çdo gjë që pengon zhvillimin demokratik të shtetit më të ri në Evropë. Aktivistët e kësaj Lëvizjeje nuk do ndesheshin më me represionin serb por nga qeveritarët e politikanët e vendit të tyre duke provuar dhunën dhe burgime, porse populli dhe historia po ju jep të drejtë.

LëvizjaVETËVENDOSJE!  do përballej me luftën politike të dy partive kryesore në Kosovë, të LDK–së e  PDK-së, të cilat veçmas apo dhe të “martuara” bashkë dështuan në qeverisjen e vendit dhe nuk arritën të  kenë ritme të zhvillimit ekonomik dhe ndërtimin e një shteti ligjor funksional me standarte evropiane. Këto parti politike nuk do t’a shikonin të keqen tek vetja, por do gjenin dhe një armikpër t’a luftuar dhe konsideruar si terroristë, vetëm e vetëm pse aktivistët e Vetëvendosjes! përpiqen për të zgjuar ndërgjegjen kosovare.  Konsiderohen të tillë thjesht përse hodhën gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës, si simbol i verbimit politik të këtij tempulli ku merreshin vendime të rëndësishme në dëm të sovranitetit të vendit. Po mbahen të burgosur ende egërsisht deputetët e Levizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, vetëm e vetëm pse fitoret e saj çdo ditë e më shumë janë shëndërruar në një ortek që sa vjen e rritet duke sfiduar politikën e vjetër.

Viti 2017 është viti elektoral që tregoi më së miri sfidat dhe fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Zgjedhjet politike dhe ato lokale treguan qartazi  se kjo Lëvizje është forca e vetme politike reale aktuale në Kosovë. Zgjedhjet parlamentare më 11 Qershor, me një fitore prej 32 vende në parlament, përballë  39 vende të koalicionit PAN( PDK-AAK-Nisma), të 29 vendeve të koalicionit LAA(LDK-AKR-Alternativa) dhe 9 vende të Listës Serbe, përtej pazareve të pista, vetëm për të qeverisur hiri i luftës, dhe jo flaka e saj, përcaktuan definitivisht se Lëvizja Vetëvendosje ! ishte fituesja e vetme në këto zgjedhje.

Përballë propagandës denigruese të partive të vjetra politike se lideri i Lëvizjes dyshohej t’i shërbejë Serbisë, dhe pse ndeshej në rrugë, në parlament e kudo kundër Zajednicës. Nga ana tjeter ,vete aleanca e luftës menjehere u bë aleate  me Listën Serbe nën orientimin e Beogradit, vetëm e vetëm se Kosovën duhet t’a kenë nën kontrollin e tyre me çdo kusht.

Programi politik prej 40 prioriteteve i Vetëvendosjes! që do t’i shërbente  më së miri Kosovës dhe popullit të saj, me një elokuencë dhe kthjelltësi politike kundrejtë një frazeologjie të vjetëruar politike, do të korrnin sukses,  e megjithate  kryeministër nuk u zgjodh Albin Kurti, por Ramush Haradinaj i cili është ende me urdhër- arresti ndërkombëtar nga autoritetet serbe. Dhe pse AAK deklaroi se nga Interpoli është hequr ky urdhër, ministri Jashtëm serb  Ivica Daçiç do deklaronte senga ana e Serbisë”Asnjë vendim për tërheqjen e urdhër-arrestit nuk është bërë”

Lidhur me atë çfarë Lëvizja Vetëvendosje! meritonte dhe  duke folur për situatën e  qeverisjen aktuale , lideri Albin Kurti do të shprehej se; ” Qeveria aktuale është shumë e dobët dhe në çdo moment mund të humbë shumicën, ndaj nuk besoj se do të merren me çështje problematike, si demarkacioni e Zajednica…sa i përket protestave në kuvend, nuk besoj se do ketë më nevojë…për faktin se Lëvizja Vetëvendosje! është dyfishuar…Haradinaj nuk guxon të sfidojë listën serbe e cila i garantojë qeverisjen”.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe lideri i saj po përndiqen e përsekutohen për çështje jetike për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës(përpos atyre që i japin prosperitet dhe zhvillim ekonomik), ndër të cilat dhe demarkacioni me Malin e Zi, ku ndodhi dhe përplasja në Kuvendin e Kosovës,për të cilin u urdhërua arrestimi i Albin Kurtit që përveçse deputet është lideri “shpirtëror” i  LëvizjesVetëvendosje. E megjithatë  as arrestimi nuk po e tkurr këtë parti,ndaj sëfundmi po tentohet përçarja e saj  me elemente që janë rritur në gjirin e saj ,duke shkaktuar jo vetem tradhëti ndaj kësaj lëvizjeje që ika mbijetuar represioneve tashmë jo nga Beogradi, por nga bashkëpatriotet e tyre. Po tentohet të instalohet “Kali i Trojes”,por duhet ta kuptojnë që kjo strategji është teper e vjeteruar  për tu përdorur  e aq më tepër në këtë lëvizje kaq  solide dhe të papërthyeshme.

Lidhur me situatën në Kosovë, përpos të tjerave, në një intervistë dhënë për median kosovare “Drita” me rastin e 105 vjetorit Pavarsisë, shkrimtari dhe akademiku i shquar Rexhep Qosja do të shprehej se:”… unë mbroj aktivistët e Vetvendosjes! kur ushtrohet dhunë ndaj tyre, kur shkelen të drejtat e tyre njerzore, kur sulmohet me shpifje, me denoncime, me urrejtje që sa kohë, sidomos mbas fitoresh në zgjedhjet e përgjithshme  dhe tani në prag dhe të zgjedhjeve lokale, që u sulmua prej PDK-së e LDK-së. Unë e mbroj Vetëvendosjen!  sepse  LDK-ja dhe PDK-ja bëjnë përpjekje për zhdukjen e saj, ndërsa Vetëvendosja! me politikën dhe programin e saj i duhet shumë Kosovës. Edhe fushata e tashme e egër me veprime neofashiste ndaj deputeteve të burgosur të saj, tani dhe ndaj figurave më të shquara të saj, Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, e Donika Kadaj Bujupit  e dëshmon qartë këtë egërsi politike…Unë mbroj të drejtën. Nesër mund të jetë dikush tjetër i cënuar, kurse unë do vazhdoj te  jemë në anën e të cënuarve padrejtësisht…Si të mos dilet në mbrojte të aktivistëve të Vetëvendosjes? Ata me muaj e me vite po terrorizohem  duke i çuar në gjykata! Ata me muaj e vite po terrorizohen me burgje! Ata po terrorizohen duke u hequr zvarrë nëpër rrugë, sheshe, e gjykata vetëm pse paskan hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, gaz që policia ua hedh qytetarëve gati çdo herë  kur bëjnë protesta…Si të mos dilet në mbrojtje të Vetvendosjes! kur PDK-ja bëhet me LDK-në me partinë që s’ka lënë gjë, s’ka lënë të zezë pa folur, pa shkruar, pa botuar, pa bërë kundër UÇK-së  në kohën e Luftës këtu në Kosovë dhe shumë kund në botë, dhe bëhet me LDK-në  vetëm për  t’ua rrëmbyer fitoren kandidatëve të Vetvendosjes në Prishtinë dhe në Prizren…por fatmirsisht Gjykata Supreme e Kosovës vendosi shpejt në favor të ankesës së Vetvendosjes dhe ashtu mposhti dhunën politike dhe retorike të LDK-së e PDK-së ndaj zgjedhjeve lokale, në të vërtetë ndaj Vetvendosjes!”.

Përpos presioneve, dhunës e xhelozisë politike, rritja nëpër sfida e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe aktivistëve të saj po e bëjnë gjithnjë e më shumë një forcë më solide për të ardhmen e Kosovës. Moderacioni politik dhe programor, transformimi filozofik i ndërgjegjes politike dhe patriotike të qytetarëve bëri  që vetëm në dy proçese zgjedhore gjatë vitit 2017 kjo Lëvizje të ketësukses si asnjë parti tjetër në Kosovë. Fitorja si subjekt i vetëm politik, përballë koalicioneve të mëdha krijuar për hirë të interesave të tyre nepotike e karrieriste dhe nënshtrim ndaj Beogradit, si dhe sëfundmi, fitorja në zgjedhjet lokale në dy qendrat administrative më të rëndësishme në Kosovë, sërish në kryeqendrën Prishtinë dhe në qendrën më të rëndësishme historike në Prizren, tregon se Lëvizja VETËVENDOSJE! është realisht forca e vetme politike që  ka besimin dhe votën e qytetarëve të Kosovës.

SHKARKO APP