Fitorja e LVV, Bushati shigjeton Ramën: Zgjedhjet nuk janë garë të fortësh
Për ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati zgjedhjet në Kosovë treguan se sovrani shembi modelin e të vjetrës duke përqafuar shpresën. Për të fitorja e Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është fitore e “çdo qytetari që jeton në Kosovë dhe diasporë, që kontribuon përmes punës së ndershme për Kosovën shtet funksional, demokratik, si një dhe të pandarë”.
Përmes një postimi në facebook, Bushati thotë se tashmë Kurti dhe Osmani janë para përgjegjësisë për të drejtuar Kosovën “me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik, mirëqënies sociale dhe partneritetit me botën demokratike”, duke shtuar se ata tashmë kanë përgjegjësinë që të jetësojnë besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Europiane.
Bushati shigjeton dhe kryeministrin “Rama” dhe modelin e tij politik teksa thotë se “në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen gjykimit të popullit. Fitoret e mëdha shoqërohen gjithnjë me pritshmëri dhe përgjegjësi të mëdha”.
Postimi i plotë i Ditmir Bushatit në Facebook:
NJË FITORE E TË ARDHMES
Po, Kosova përqafoi të ardhmen! Më shumë sesa një fitore e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, 14 Shkurti 2021, do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur sovrani me votë plebishitare shembi modelin e vjetër dhe përqafoi shpresën.
Është fitorja e çdo qytetari që jeton në Kosovë dhe diasporë, që kontribuon përmes punës së ndershme për Kosovën shtet funksional, demokratik, si një dhe të pandarë.Është fitorja e çdo sipërparrësi të ndershëm që beson tek puna, shpirti i garës, shteti zhvillimor, barazia në mundësi, përkundrejt kapitalizmit grabitqar që thellon pabarazinë, mpin shoqërinë e nxit braktisjen e vendit.Është fitorja e shoqërisë civile, medias së lirë dhe profesionistëve me integritet moral që besojnë tek vlerat e lirisë, humanizmit, qytetarisë, drejtësisë sociale, përballë gazetarisë rentiere e shpirtprishur në shërbim të pushtetit.
Është fitorja e një modeli të ri politik që s’ka të bëjë me moshën, gjininë e prejardhjen, por që ndjen përgjegjësinë para njerëzve, duke demonstruar konsistencë në ide, përgjegjshmëri shtetërore e pathyeshmëri, duke mos u bërë palë me veset e politikës që gërryejnë idealin e jetës demokratike.Është fitorja e standardit dhe kulturës demokratike. Kosova, 13 vjet shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi plot 109 vjet shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen gjykimit të popullit. Fitoret e mëdha shoqërohen gjithnjë me pritshmëri dhe përgjegjësi të mëdha.
Tanimë, Lëvizja Vetëvendosje, Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik, mirëqënies sociale dhe partneritetit me botën demokratike.
Sfida, që kërkojnë një konsensus të ripërtërirë politik e shoqëror. Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Europiane. Urime Kosovë.