Fjalimi i parë i Thaçit si President

Nga Hashim Thaçi/

E dashura Lume, Endrit, nënë dhe baba,

Për mua kjo ditë është e veçantë, sepse shënon një moment të ri angazhimi politik në karrierën time prej tri dekadash.

Si e gjithë gjenerata ime, unë jam rritur me sfidat që ka kaluar populli i Kosovës.

Ndaj, kam emocione dhe kam nder që në këtë shesh të ju drejtohem si President i Republikës së Kosovës.

Si student edhe në këtë shesh kam demonstruar për liri dhe të drejta demokratike. Për lirinë dhe çlirimin e Kosovës janë sakrifikuar shumë gjenerata. Ju ftoj si qytetarë të Republikës të lutemi dhe t’i falënderojmë të gjithë ata që dhanë jetën, që ne sot të jemi të lirë, sovran dhe të pavarur. Ju ftoj të mendojmë për një çast për sakrificat që çdo njëri nga ju keni dhënë, që sot të jemi bashkë në këtë ceremoni të tranzicionit të rregullt demokratik.  Sot jemi të bashkuar si vend dhe popull.

Jemi këtu. Pjesëtarët e komuniteti shumicë, pjesëtarët e bashkësive etnike dhe fetare, por edhe pjesëtarët e LGBTI. Kemi qenë të bashkuar në kohë të mira dhe në situata të rënda. Në kohë hidhërimesh dhe gëzimesh. Bashkimi na ka ngritur si komb dhe si shtet.  Uniteti ynë ka qenë dëshmia më e madhe dhe më e fuqishme për botën se ne jemi një shoqëri e dedikuar për një sistem politik që garanton të drejtat më bazike individuale dhe kolektive. Një rend që buron nga proceset transparente të demokracisë me rrënjë që nuk çrrënjosen më nga askush.

Prandaj ju falënderoj të gjithëve.

Me kontributin dhe sakrificën tuaj, me kohezionin qytetar, sot i tregojmë botës se kemi arritur pjekurinë e një demokracie evropiane në tetë vite të funksionimit si shtet demokratik.

Sot, të nderuar mysafirë dhe të dashur qytetarë, po fillojmë një traditë të re.

Është vetëm edhe një gur në krijimin e një historie të përbashkët si shtet multietnik, sekular dhe përqafues të vlerave të familjes Euro-Atlantike.  Kjo ceremoni është një kapitull i ri në librin tonë të suksesit të përbashkët, ku zgjedhjet, ceremonitë, festat nacionale, dalëngadalë po e pasurojnë rrëfimin delikat për shtetin tonë. Janë ornamente të shtetësisë që po i qëndisim bashkë.

Kjo ceremoni përfundon pas pak, por shteti ynë do të shkojë përpara. Edhe më shpejt, edhe më mirë. Ju siguroj se shteti ynë nuk do të ndalet. Nuk do të pauzojë.

Nuk kemi kohë për të humbur. Kemi humbur shekuj. Kemi humbur epoka. Kishim kaluar nga mesjeta në komunizëm. Nga komunizmi në luftë. Pa tranzicion demokratik. Tash e 17 vite jemi të lirë.

Nuk kemi më asnjë vit, muaj e ditë për t’ia falur hidhërimit, urrejtjes dhe historisë së gjakut.

Të nderuar qytetarë

Si President i Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju them se nuk dua që të marrë mantelin e një heroi. Sot dua t’ju them se jam shumë i nderuar se jam vetëm President i Heronjve.  Që të pamundurën e bënë të mundur. Ëndrrën, realitet.

Hero është punëtori që ndan nga kafshata e gojës për ta shkolluar fëmijën.

Hero është ndërmarrësi që punëson familje të tëra dhe paguan tatime.

Hero është veterani që dha gjithçka për atdheun, pa pyetur për shpërblim, pa menduar për rrezik.

Invalidi që dha gjymtyrët e trupit për liri.

Familjet e dëshmorëve që dhanë më të dashurit për atdheun,

I burgosuri që kaloi shumë vite në burg për rend demokratik.

Hero është qytetari i diasporës, që nuk kurseu për të sotmen kosovare.

Heronj ishin edhe ata një milion refugjatë gjatë kohës së luftës.

Sot, hero është minoritari që ka vendosur të jetojë këtu në Kosovë, ku ka pasur rrënjët dhe ku është i gatshëm të përballet me sfidat e jetës.

Kosova nuk është e një bashkësie etnike më shumë e një tjetre më pak.

Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Hero është mësuesi që edukon brezat e rinj.

Hero është bujku që prodhon bukën tonë.

Hero është mjeku që shëron.

Hero është minatori.

Hero është ambientalisti që kujdeset për natyrën.

Hero është studenti, që ec me trendet e dijes botërore.

Heronj janë edhe fëmijët që shkojnë në shkolla të cilat i ndërtuam me mundin tonë.

Sot, hero është prokurori i mirë, e gjyqtari i drejtë.

Hero është polici që ruan rendin ditë e natë, hero është ushtari që garanton lirinë dhe paqen.

Qytetari i Kosovës është hero.

Ai kujton, por fal.

Ai nuk harron, por nuk hakmerret.

Ai është krenar, ngrihet mbi të kaluarën e pajtohet.

Heronj janë qytetarët e Republikës sonë.

Unë jam vetëm një President i thjeshtë i një populli heronjsh.

Ju premtoj se nuk ka fuqi, që mund t’i ndalë ëndrrat e heronjve.

Ëndrrat tuaja.

Pritjet tuaja.

E ju garantoj që shpresat, ëndrrat dhe pritjet tuaja do të jenë shpresat, pritjet dhe vendimet e mia..

 Të nderuar mysafirë, Të dashur qytetarë,

Më lejoni që sot para jush t’i shpalos disa vija të përgjithshme të objektivave të mia si President i Republikës. Janë katër çështje që do të doja t’i ofroja si një program fillestar, edhe pse që tash e di se do të dalin edhe shumë çështje tjera. Do të dalin edhe shumë nevoja të tjera, sfida afatshkurtra dhe plane afatgjata, që duhet të futen në listën e gjatë të obligimeve.

 E para, ka të bëjë me Kushtetutën.

Në sistemin tonë demokratik, Presidenti është gardian i kushtetutshmërisë. Nga momenti kur e dhashë betimin dje në Kuvend, unë jam një roje, një mbrojtës i dokumentit tonë themeltar. Këto nuk janë vetëm fjalë dhe vetëm gjeste. Simbolet janë fuqi, sepse kanë domethënie dhe interpretim.

Do të punoj fortë për forcimin e identitetit shtetëror. Jam i vetëdijshëm se muajt e fundit kemi kaluar në debate të hapura dhe me tone divergjente politike. Si roje e Kushtetutës, unë do të jem i paanshëm politikisht. Do të ofroj agjendë dialogu aktiv në mes përfaqësuesve të popullit, pa dallime partiake. Do të përdor instrumentet këshillëdhënëse që të kemi dialog aktiv edhe me komunitetet joshumicë. Tranzicioni presidencial nuk përbën ndryshim të sistemit, por është vetëm ndryshim personash të dedikuar që ta ruajnë sistemin. Këtë sistem e kemi krijuar ne vetë, gjeneratat e tëra të kosovarëve që luftuan fillimisht për liri, pastaj për pavarësi dhe që do të qëndrojnë së bashku në betejën epike që na pret për t’ju bashkuar komunitetit të kombeve euro-atlantike.

 Së dyti, do të luaj rol kushtetues në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në rrafshin politik, diplomatik dhe atë social. Duhet të jemi të vetëdijshëm se tundime të mëdha, ndryshime tektonike po përshkojnë kontinentin e Evropës dhe mbarë botën. Kosova duhet të luajë rol aktiv në çështje që kapërcejnë madhësinë tonë si shtet apo mundësitë tona si popull. Valët e refugjatëve nga zonat e luftës, radikalizmi dhe terrorizmi i bazuar në urrejtje dhe shkatërrim, si dhe erërat e ftohta që na vijnë nga Lindja, janë sfida që po e testojnë çdo shtet, që po e testojnë çdo aleancë. Aleatëve tanë të nderuar dhe miqve nga mbarë bota, Ju premtoj se Kosova do të jetë hallkë e fortë e zinxhirit antiterrorist.

Kosova do të jetë iniciues i nismave për paqe dhe dialog. Kosova po ndërton raporte të mira me fqinj. Kosova po kultivon frymën e dialogut. Kosova e njeh kulturën e negocimit. Për të gjitha çështjet që mund të merremi vesh i kemi dyert dhe zemrat e hapura.

Por, le të jetë e qartë se me ata që kërcënojnë lirinë në botë, me ata që rrezikojnë dhe sulmojnë miqtë tanë, me ata që synojnë shkatërrimin e mënyrës tonë të jetës, liritë dhe të drejtat tona, nuk do të ketë asnjëherë kompromis.

Jemi krenar që Kosova është pjesë e përpjekjeve globale në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Qytetarët e Kosovës masovisht, pa dallim etnie e besimi kanë orientim euroatlantik. Unë jam i obliguar nga qytetarët tanë që ta ruajë si sytë e ballit miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Unë do të bëj gjithçka që t’i ndihmojë Kuvendit dhe Qeverisë që sa më shpejt t’i afrohemi ëndrrës sonë për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.

 Qytetarë të nderuar,

Jemi këtu, para monumentit të Skënderbeut. Shumëkush e sheh si luftëtar në mes qytetërimeve, por unë sot e shoh si një njeri që preku dy botëra. Vendi ynë është i vëmendshëm për traditat fetare tradicionale islame dhe krenar për gjurmët e shenjtorëve të krishterë që nga koha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Dhe çmojmë margaritarët e Kishës Ortodokse Serbe. Vetëm pak metra nga këtu e ngrita monumentin e hebrenjve të Kosovës, edhe një dëshmi tjetër e diversitetit tonë.

Vendi ynë është krenar që sivjet po bëhet e shenjtë një grua e bekuar, që para 90 viteve, si 17-vjeçare në Kishën e vogël të Letnicës, ndjeu urdhrin e Zotit dhe nga Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Terezë, humaniste me përmasa globale. A nuk jemi më të pasurit në Evropë që kemi kaq pasuri, kaq diversitet, kaq tolerancë shekullore? Por, të jemi të qartë – ky vend është sekular. Republika jonë bën dallimin midis rolit të shtetit dhe fesë.  Si gardian i Kushtetutës do të jem edhe gardian i kësaj ndarje të qartë.

 Të nderuar qytetarë,

Pika e tretë ka të bëjë me dy të parat, por meriton kujdes dhe vëmendje të veçantë. Fjala është për dialogun e dyfishtë në Kosovë me komunitetet jo-shumicë dhe me Serbinë. Ne duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë evropian dhe dialogun me Serbinë, sepse qytetarët na kanë obliguar ta anëtarësojmë Kosovën sa më shpejtë në BE dhe NATO. Ky është një obligim dhe detyrim nacional që edhe në momentet më të vështira, edhe në bisedat më të rënda dhe në çastet më provokuese, mos t’i dorëzohemi dëshpërimit, mos të dorëzohemi para urrejtjes.

Ne do të ndërtojmë fqinjësinë e mirë.  Dialogu nuk ka alternativë. Kosova dhe Serbia duhet të kalojnë nga faza e normalizimit të marrëdhënieve në procesin e pajtimit në mes të dy shteteve dhe dy popujve. Jam i bindur se pajtimi do të ndodh.

Do ta përdori fanarin më të ndritshëm që edhe në errësirën më të thellë të gjejmë njerëz me të cilët mund të dialogojmë, me të cilët mund të ndërtojmë ura.  Marrëveshja e Brukselit nuk është një ishull. Ajo solli relaksim raportesh politike në gjithë rajonin tonë. Sot Ballkani dhe gjithë rajoni është ndryshe. Secili komunikon me secilin. Së bashku me Planin e Ahtisarit dhe Marrëveshjen e Rambujesë – ajo është edhe një pikë referuese e historisë sonë moderne, e arkitekturës së paqes në Ballkan.

 Të nderuar mysafirë,

Pika e katërt është e fundit, por jo më pak e rëndësishme. Duhet të jemi të qartë, për disa qytetarë politika është bërë një fushëbetejë monotone mes liderëve. Për ta ajo ende nuk sjell shpresën për vende të reja të punës, për progres ekonomik dhe mirëqenie sociale.  Qytetarët me të drejtë kanë kërkesa. Të rinjtë kanë nevojë për shpresë. Të diplomuarit kanë nevojë që dija e tyre të shpërblehet.  Pensionistët kanë nevojë jetike të sigurohen që kontributi i tyre nuk do të injorohet. Prandaj do të punojmë që tranzicioni ekonomik të shkojë me hapa po aq të shpejtë si tranzicioni politik, që e kemi përjetuar.  Ne – një popull që u ringritëm si feniksi, që rindërtuam shtëpitë tona, që zumë hapin me kohën dhe me botën, duhet të jemi në gjendje të krijojmë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë.

 Të dashur qytetarë,

Kam qenë dëshmitar kur shokët e mi më kanë vdekur para syve. Kam përjetuar edhe momente dëshpërimi në rrugëtimet e gjata për lirinë e vendit tonë. Por, kam qenë gjithmonë i bindur se një ditë ky popull do të dalë në dritë. Do ta fitojë lirinë. Beteja e sotme nuk është e tillë që kërkon sakrificën më sublime.  Nuk është e tillë që ngrit dyshime ekzistenciale.  Ato tashmë i kemi kapërcyer. Beteja e sotme është që t’i bëjmë krenar fëmijët tonë dhe fëmijët e fëmijëve tonë me shtetin e tyre, me kualitetin e tyre të jetës. Të sigurojmë që së shpejti të mund të lëvizin në Evropë. T’i bëjmë pjesë thelbësore të projektit demokratik, të shtetit të së drejtës. Edhe sot ndër betejat tona kryesore është fryma e dashurisë ndaj njëri – tjetrit. Prandaj, në këto përpjekje dhe synime unë do të jem pranë jush dhe nuk kam dyshim që së bashku se do të dalim faqebardhë.

Si President i Republikës, si President i një populli heronjsh, unë besoj në shtetin tonë dhe në ardhmërinë e tij të sigurt.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.

Ju faleminderit.

SHKARKO APP