FMN për ekonominë e Kosovës – “Tarifa mbi importet serbe ka rritur çmimet e ushqimeve duke dëmtuar familjet”

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) zbarkoi në Prishtinë në datat 12-18 qershor, për të diskutuar zhvillimet e fundit ekonomike dhe pasqyrën ekonomike të Kosovës. Në përfundim të këtij misioni në Kosovë, FMN del edhe me një deklaratë të shkurtër për situatën në vend.

“Rritja vazhdon të jetë e fuqishme, por nevojitet një rritje më e madhe e nxitur nga sektori privat dhe eksportet, për ta ulur papunësinë e lartë dhe hendekun e gjerë të të ardhurave me vendet homologe”-thuhet që në krye. “Nismat e fundit mund t’i rrisin shpenzimet aktuale, të pengojnë zhvillimin e sektorit privat dhe të dobësojnë klimën e investimeve. Në vend të kësaj, politikat duhet të përqendrohen në avancimin e reformave strukturore për të mbyllur hendeqet e konsiderueshme të kapitalit njerëzor dhe fizik duke investuar në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, si dhe për të forcuar qeverisjen dhe mjedisin e biznesit”-thotë institucioni me bazë në Washington në formë kritike për autoritetet kosovare.

“Sfida kryesore për ekonominë e Kosovës është rritja më e lartë e nxitur nga sektori privat dhe eksportet”-nënvizohet më tej. Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka lënë pa përmendur as çështjen e tarifave të importit nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. “Gjithashtu, tarifa në importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka rritur çmimet e konsumit, posaçërisht të produkteve ushqimore, duke ndikuar kështu tek ekonomitë familjare me të ardhura më të ulëta, si dhe duke dobësuar llogarinë e jashtme rrjedhëse”.

Ky është paralajmërimi i parë serioz i një organizimi të këtyre përmasave sa i përket impaktit të tarifave 100% ndaj importeve serbe në ekonominë e Kosovës në tërësi, si dhe në ekonominë e familjeve.

SHKARKO APP