Forca e Sigurisë së Kosovës nis misionin e parë jashtë vendit
Një numër pjesëtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në një mision në Kuvajt, duke shënuar rastin e parë të përfshirjes së ushtrisë së Kosovës në një mision paqeruajtës ndërkombëtar. Në ceremoninë e nisjes, që u mbajt në kazermat e Forcës së Sigurisë në Prishtinë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ky mision po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
“Njëzetedy vjet më parë ishte vështirë e imagjinueshme që ushtarët tanë do të ishin pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës në botë. Sot kjo gjë po bëhet realitet sepse ne e bëmë lirinë dhe e ndërtuam paqen bashkë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Tashmë erdhi koha që t’ua kthejmë një pjesë të kontributit të tyre duke u bërë partner në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes. Nga një vend që dikur importuam trupa paqeruajtëse sot po transformohemi gradualisht në një vend që po eksporton trupa paqeruajtëse”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Osmani tha se misioni i Kosovës është paqja dhe se ajo do të jetë përkrahë miqve të saj ndërkombëtar. “Pra, që të jemi të qartë, kushdo që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës, pra në Kosovë, Amerika dhe aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal”.