Ftesa e Borell për takim, Kurti: Në fillim të javës së ardhshme do të jap një përgjigje
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se në fillim të javës së ardhshme do të dalë me një përgjigje sa i përket ftesës së Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian për një takim urgjent në Bruksel për menaxhimin e krizave.
Kështu deklaroi Kurti pasi nderimit që bëri te pllaka në Parkun e të Pagjeturve.
Ai më tej shtoi se në këtë dialog është i angazhuar, por tha se ajo çfarë po mungon është sekuencimi për zbatimin e plotë, pa vonesa dhe pa kushte i marrëveshjes bazike dhe i aneksit të zbatimit.
“Një sekuencim që do të ishte i balancuar e fer, e që praktikisht është krejt i ndryshëm prej atij çfarë ne na u pat ofruar më 26 prill. Jemi të përkushtuar e konstruktiv, por nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10…. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe jam i interesuar t’i përfshij në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmasa”, tha kryeministri.