Fushata zgjedhore në Kosovë, kandidatët në terren, s’respektohen masat anti-Covid
Kandidatët për kryeminstër dhe deputet në Kuvendin e Kosovës kanë zbritur në terren për fushatë zgjedhore, por ajo që bie në sy është mosrespektimi i masave anti-Covid.
Kosova është në fushatë zgjedhore dhe kandidatët kanë zbritur në terren për të takuar qytetarët dhe për të shpalosur programin e tyre.
Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka folur para qytetarëve në hapjen zyrtare të fushatës së Lidhjes Demokratike në rajonin e Pejës.
Në fjalën e tij, Hoti nuk ka kursyer kritikat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për ofendimet ndaj zyrtarëve amerikan.
Albin Kurti ka preferuar që të ketë takime me qytetarë në rrugët e Prishtinës. Ai shoqërohej nga presidentja në detyrë Vjosa Osmani.
Ish-kryeministri Haradinaj nga Mitrovica bëri publik faktin se kërkon postin e presidentit, teksa i shtriu dorën për bashkëpunim Albin Kurtit.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vazhduar fushatën elektorale në Gjakovë. Ai tha se program qeverisës i PDK-së do ta rimëkëmbë Kosovën.
Tubimet zgjedhore po zhvillohen në kohë pandemie, dhe për këtë fakt ambasada Britanike në Kosovë ka shprehur shqetësim për mosrepsektimin e distancimit social.