Fushatë e tensione në Kosovë, Vetëvendosje në KQZ akuzon kryetaren se po tenton manipulime

Kosova e ndajnë më pak se tri ditë nga zgjedhjet e reja. Ndërsa partitë politike prezantojnë platformat e tyre, kanë filluar që tani pretendimet në KQZ për rrezikun e manipulimeve.

Fushatës elektorale në Kosovë po i vjen fundi, ndaj partitë vijuan edhe të enjten të shfrytëzojnë orët e mbetura për të dhënë mesazhe politike.

Ndër partitë e mëdha, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe LDK-ja me kandidat kryesor, Avdullah Hotin, premtuan secila qeverisje më të mirë.

Pavarësisht motit jo të mirë, Kurti u shfaq optimist gjatë vizitës në Mitrovicë, përkrah Vjosa Osmanit nga partia “Lista”.

Osmani: Nëpër borë e nëpër shi nuk ka kush e ndal vullnetin për ndryshim dhe Mitrovica sot vetëm po e rikonfirmon këtë.

Kurti: Fitorja e 14 shkurtit duhet të jetë por sikur në Llap pra pa balotazh mbi 61 deputetë në mënyrë që t’i bëjmë reformat e shumëfishta me qeveri stabile e shumicë parlamentare e dal nga shumicë gjithëpopullore qytetarë.

Ndërkohë kryeministri në detyrë, Hoti, foli për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa nga Prishtina prezantoi vizionin e tij për kthimin e komunës në kryeqendër të rajonit.

Hoti: Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin dhe përtej Prishtina do të jetë nyje lidhëse për hekurudhat modern të rajonit dhe më gjerë.

E premtja shënon ditën e fundit të fushatës elektorale për 28 subjektet politike në Kosovë.

Nga fundjava, procesi do të menaxhohet ekskluzivisht nga KQZ-ja vendore, atje ku anëtarët dhe kryetarja, Valdete Daka, po përplasen vazhdimisht teksa afrojnë zgjedhjet.

Të enjten, shkak për tensionet u bë pretendimi i Vetëvendosjes se kryetarja po tenton të manipulojë listën e votuesve jashtë vendit, duke mos e publikuar atë.

Kurteshi: Valdete Daka është kreu i këtij krimi që 11 vjet është në këtë institucion. Valdete Daka është nismëtare e të ashtuquajturës vjedhje industriale e votave. Dhe do të përfundojë me vjedhje industriale të votave. Këtë nuk e lejojmë.

Daka: Jemi mësuar që gjithçka që ka të bëjë në Kosovë, Valdete Daka është aty. Dhe është fajtori kujdestar për të gjithë çfarë ndodhin në Kosovë, faleminderit. Edhe për atë çfarë ndodh në KQZ, fajtor është prapë Valdete Daka. Faleminderit që më keni bërë kaq të fuqishme. Sipas juve, unë jam personi që e kontrolloj krejt, faleminderit, shumë jam e lumtur që jam kaq e fuqishme. Çdo mbledhje e kthyer në teatër për media, se jemi shndërruar në serial “Kasandra”. Tash nuk e di cili episod është sot. E gjithë fushata juaj kundër meje është personale. Juve po ju pengon Valdete Daka.

SHKARKO APP