Gallatë në Kosovë, ministri i ri i Drejtësisë: Do forcojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin

Ministri i ri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili u betua sot në Kuvendin e Kosovës, ka thënë sot se do të punojë për forcimin e sundimit të ligjit, dhe për forcimin e “krimit të organizuar e korrupsionit”.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lëshoi këtë deklaratë kontradiktore përmes një shkrimi në Facebook. Por, pastaj Tahiri e rregulloi gabimin e tij. I bëri “edit” postimit të tij në Facebook, duke shtuar se do të “punojë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Derisa ndjej përgjegjësi të partë për detyrën që do ta ushtroj, jam jashtëzakonisht i impenjuar që së bashku me të gjithë kolegët pranë MD-së të punojmë në forcimin e sundimit të së drejtës, krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi fillimisht Tahiri. Për ta ndryshuar vetëm disa minuta më vonë fjalimin e tij. “Derisa ndjej përgjegjësi të partë për detyrën që do ta ushtroj, jam jashtëzakonisht i impenjuar që së bashku me të gjithë kolegët pranë MD-së të punojmë në forcimin e sundimit të së drejtës, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkruhej në postimin e rregulluar të ministrit të ri të Drejtësisë.

Tahiri u shpreh i vetëdijëshëm për punën që e pret në dikasterin e Ministrisë së Drejtisisë. “Jam i vetëdijshëm për sfidat e panumërta që më presin. Postulat i punës sime do të jetë besimi i qytetarëve të Kosovës në punën time dhe të mbarë MD-së në përgjithësi”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com

SHKARKO APP