Gent Cakaj reagon për Veselin: Drejtësia selektive nuk është drejtësi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar me një status në Facebook lidhur me thirrjen që i është bërë për intervistim në Gjykatën Speciale në Hagë, Kadri Veselit.

“Drejtësia selektive nuk është drejtësi! E, aq më pak proceset e nisura mbi paragjykime dhe të ndërtuara mbi të pavërteta!”- shprehet Cakaj në postimin e tij në rrjetet sociale.

Ky akt, sipas Ministrit Cakaj, është vetëm vazhdim i padrejtësive sistematike dhe qasjes së njëanshme ndaj UÇK-së dhe Kosovës.

“Lufta e UÇK-së ka qenë historikisht e drejtë dhe e vetmja përgjigje ndaj përpjekjeve genocidiale të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Serbia, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, është përgjegjëse për vrasjen e me tepër se 12.000 shqiptarëve, për deportimin masiv të më shumë se një milion njerëzve dhe miliona dollarë dëme të luftës. Këto krime nuk janë kryer në baza individuale, por kanë qenë të sponsorizuara drejtëpërdrejtë nga aparati shtetëror i Serbisë.”- thekson Cakaj.

Për Cakaj, ka vetëm një faktor thelbësor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe ai është adresimi i krimeve të Serbisë. E në këtë kontekst, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka dhe një mesazh për të gjithë ndërkombëtarët: “Bota, ndërkaq, duhet të jetë shumë më e zëshme dhe më e qartë në kërkesën për llogaridhënie historike e vendosje të drejtësisë për bëmat monstruoze të Serbisë në Kosovë!”

Ministri Cakaj përfundon qëndrimin e tij duke shkruar se Kadri Veseli me shokë sot janë shumë më shumë se luftëtarë të lirisë: ata janë dëshmitarë të pastërtisë së kauzës për çlirimin e Kosovës!

SHKARKO APP