Gjendja e rëndë në Preshevë, Kurti: Të ketë përfaqësues në dialog edhe nga Lugina

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar në facebook lidhur me vizitën e dy përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në zyrën e tij nga ku ka kërkuar që të respektohet qëndrimi i shqiptarëve të Luginës në Referendumin e vitit 1992 përmes të cilit ata kërkuan bashkimin me Kosoën.

Kurti ka kërkuar edhe përfaqësimin e shqiptarëve të Luginës në Ekipin Negociator të Kosovës me Serbinë.

Këto deklarata ai i ka bërë  në takim me Kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu dhe sekretarin e këtij Kuvendi, Avni Aliti.

Në takim është diskutuar për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe shqetësimet e tyre, tani para rifillimit të negociatave me Serbinë

Statusi i Albin Kurtit në facebook:

Në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bashkë me deputetin Liburn Aliu, patëm rastin të presim Kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës, z. Sami Saihu dhe sekretarin e këtij Kuvendi, z. Avni Aliti.

Nga z. Salihu, u informuam për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe shqetësimet e tyre, tani para rifillimit të negociatave me Serbinë.

U pajtuam që çfarëdo rifillimi i negociatave me Serbinë, mund të jetë i rrezikshëm nëse nuk bazohet mbi marrëdhënie reciprociteti. Miratimi i Rezolutës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku nuk përmenden fare të drejtat e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, reciprociteti me Serbinë si dhe mospërfshirja e asnjë përfaqësuesi nga këto tre komuna shqiptare nën Serbi në delegacion të bisedimeve, na bëjnë të brengosemi për përsëritjen e gabimeve të deritanishme dhe lënien e sërishme në harresë të këtyre qytetarëve shqiptarë.

Ne mbështesim, qëndrimin e z. Salihu që në përbërje të delegacionit të Kosovës të ketë edhe përfaqësues të qytetarëve të Luginës së Preshevës, që bisedimet të bëhen mbi baza të reciprocitetit dhe ku shtrohet çëshja e të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke pasë parasysh Deklaratën e vitit 2006 të përfaqësuesve të Kuvendeve Komunale të të tre komunave si dhe referendumin e vitit 1992.

SHKARKO APP