Gjermania, Franca bëjnë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së Kosovës
Gjermania dhe Franca bënë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës dhe për zgjedhjen e presidentit, sapo të finalizohen rezultatet e zgjedhjeve.
Në një postim në Twitter, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se dy vendet “i urojnë qytetarët e Kosovës, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin për rezultatin zgjedhor”.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Vjosa Osmani ka qenë kandidate e listës së Vetëvendosjes për presidente.
Rezultatet janë ende preliminare, pasi kanë mbetur pa u numëruar votat nga diaspora, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Kosova është me ushtruese të detyrës së presidentit, zonjën Osmani, qysh në nëntor, kur Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë.
Javën e kaluar, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, u ka bërë thirrje partive fituese në Kosovë, që të formojnë Qeverinë “shpejt dhe me efikasitet”. /Rel/