Gjermania u dha azil vetëm 37 kosovarëve

0.3 %, ose 37 nga mbi 12.500 është shifra e pranimit të kërkesave të azilit në Gjermani për kosovarët që prej janarit 2014. Shifrën e konfirmon zyrtarisht për KTV-në Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë.

Në një përgjigje me shkrim, Katrin Hirseland, zëdhënëse e kësaj zyre, ka shpjeguar numrat e azil-kërkuesve kosovarë dhe faktin që shumica dërmuese do të kthehen shumë shpejt në Kosovë. Muajt e fundit kanë shënuar rritje marramendëse të kërkesave për azil.

“Në janar 2015 nga Kosova kanë ardhur 3630 kërkesa për azil (3.034 aplikacione për herë të parë dhe 596 aplikacione për herë të dytë). Duke krahasuar numrin e aplikacioneve për herë të parë ndërmjet janarit 2015 dhe dhjetorit 2014, kur kishim 1461 aplikacione fillestare, ka një rritje prej 107.7 %. Nëse e krahasojmë janarin e 2015-s me janarin e 2014-s (451 aplikacione fillestare) kemi një rritje prej 527.7 %. Vitin e kaluar në përgjithësi kemi pasur 8923 kërkesa për azil nga Kosova (6908 kërkesa fillestare dhe 2015 për herë të dytë). Nga të gjitha këto kërkesa mund të konfirmojmë se azil kemi dhënë për 0.3 % të tyre”, ka thënë Hirseland për KTV.

Sipas Hirseland, për shkak të numrit shumë të madh të kërkesave nga Kosova, rastet e tyre tani shqyrtohen me urgjencë dhe shumë shpejt ata kthehen në Kosovë vullnetarisht ose nga autoritetet gjermane.

“Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë i ka ndërruar procedurat e veta. Tani u jep përparësi aplikacioneve nga Kosova. Kjo do të thotë se për to tani vendoset brenda 2 javësh. Meqë aplikuesit nga Kosova zakonisht nuk kanë asnjë bazë për t’i marrë nën mbrojtje, aplikacionet e tyre zakonisht refuzohen dhe ata duhet të kthehen në Kosovë. Nëse nuk kthehen vullnetarisht, kthehen nga autoritetet gjermane”, pohoi zytarja gjermane.

Zyrtarja gjermane ka shpjeguar se azil-kërkuesit paraqesin aplikacionet e tyre në një prej 24 degëve të kësaj zyre në Gjermani. Në pritje të një përgjigjeje ata vendosen fillimisht në qendra pritjeje që menaxhohen nga shtetet e veçanta federale dhe ku marrin strehim dhe ushqim dhe aty rrinë deri në marrjen e një përgjigjeje për kërkesën për azil, përcjell koha.net. Zyra Federale për Migracion e Gjermanisë ka thënë se sistemi i azilit i Hungarisë nuk ka deficite dhe se ky shtet nëse është e nevojshme i kthen kosovarët edhe aty. Në vitin 2014 në total Gjermania ka aprovuar 44 % të kërkesave për azil dhe këtu bëjnë pjesë më së shumti Siria e Afganistani.

SHKARKO APP