Gjithçka çfarë ndodhi sot në Veri të Mitrovicës

Mëngjesin e së premtes u dëgjuan krisma armësh dhe alarme që paralajmërojnë krizat në veriun e Mitrovicës. Edhe pse këtë ditë u paralajmërua për protestën që do të mbanin serbët, atje ndodhi edhe diçka tjetër. U arrestuan katër persona që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit që ndodhi në janar të këtij viti. Policia e Kosovës, megjithatë, ende është në kërkim të personit të pestë. E ai është lideri i veriut, Milan Radojcic. Gazeta Express shkruan përmbledhjen e ngjarjeve që kanë ndodhur sot në veri
Në orët e para të mëngjesit, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftuan se kanë bërë kërkesë për arrestimin e disa personave që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e ish-liderit të SDP’së, Oliver Ivanoviq, që ndodhi në janar të këtij viti.

Ata që u arrestuan në aksionin e sotëm janë: Nedeljko Spasojeviq, Dragisha Markovic, Marko Rosic dhe Sasa Curcic.

Ndër të dyshuarit, i cili tashmë është duke u kërkuar ende nga policia e Kosovës, është edhe Milan Radojcic. Një person që ka pushtet të madh në veri të Mitrovicës. Gjithashtu, ai është edhe nënkryetar i Listës Srpska.

Atij fillimisht iu bastis shtëpia, por kapja e tij nga organet kompetente dështoi. Policia e Kosovës më pas ka njoftuar për armatimin e gjetur në shtëpitë e katër personave të arrestuar.

Çka u konfiskua gjatë bastisjes së katër lokacioneve ku jetonin të dyshuarit?

Një fluturake (Dron) me teledirigjues dhe bateri të llojit ROHS, një telefon (I-phone), një telefon “Microsoft”, dy telefona mobil të llojit Nokia dhe Samsung, një llap top “Lenovo”, dy IPAD të llojeve SPIDE dhe Samsung SM-T 280, një radio lidhje (motorollë) jo zyrtare, me mbushës, një këllëf për armë-revole, dy jelekë ushtarak, një armë automatike (AK 47), prodhim Jugosllav me një karikator të zbrazët, katër karikatorë të AK-47 me 106 (njëqind e gjashtë) fishekë, një karikator me 10 (dhjetë) fishekë të cal. 9 mm, një granatë dore M-75, dy karikatorë të zbrazët, njëri i armës automatike AK 47 dhe një i revoles, një karikator i armës automatike me 26 (njëzet e gjashtë) fishekë të cal. 7.62 mm, tre fishekë të cal. 7.62 mm X39, një tytë e tromblonit, një shufër gome, substancë e dyshuar narkotike me sasi prej 76 gram, dokumente të ndryshme dhe dy blloka xhepi, shtëpizë kompjuteri “ASUS”.

Ekipi i Gazetës Express kanë qëndruar në qendrën e veriut që nga mëngjesi, aty ku fillimisht u paralajmërua se do të mbahej protesta e paralajmëruar kundër taksës 100% që Qeveria e Kosovës e ka vënë ndaj produkteve serbe.

Por, në këtë lokacion, edhe pse nisën të mblidheshin protestuesit, protesta në qendrën e veriut dështoi. Ajo u zhvendos në Rudar, në afërsi të Leposaviqit.

Por, para se të nisë protesta në Rudar, në veri u krijua Shtabi i ashtuquajtur i Krizës për katër komunat serbe, të cilët më pas dolën edhe me katër konkluzione.

Kërkesat e tyre ishin që të hiqet taksa për prodhimet e Serbisë, pasi që për shkak të kësaj mase serbët do të shpërngulen nga këto hapësira; menjëherë të lirohet qytetarët e arrestuar të Mitrovicës Veriore ose të ofrohen dëshmi valide për arsyet e kapjes së tyre; të ruhet paqja dhe siguria dhe këtë ta garantojë KFOR-i dhe institucionet përgjegjëse ndërkombëtare në Kosovë; të mbahen protesta të qeta dhe paqësore njëorëshe kundër “terrorit” politik dhe policor të Prishtinës ndaj Serbëve.

Protesta megjithatë, vazhdoi edhe në dy pika të tjera në veri, pikërisht në dy rrugët magjistrale që çojnë në dy pikat kufitare, në Zupq të Zubin Potokut që çon në pikën kufitare në Bërnjak dhe në Rudare të Zveçanit që çon në pikën kufitare në Jarinje.

Ndërkohë, që ekipi i Gazetës Express dhe T7, kanë qëndruar te udhëkryqi që çon në fshatrat shqiptarë në Boletin, Zhazhë dhe Kelmend. Aty, askush nuk u lejua të shkojë në drejtim të rrugës së Zveçanit, aq kollaj.

Qindra protestues ishin mbledhur tek Kryqi që gjendet në atë rrugë. Aty filluan të mbaheshin edhe fjalimet e liderëve të Listës Srpska.

I pari foli Kryetari i Veriut të Mitrovicës, Goran Rakic, i cili tha se katër serbët e arrestuar duhet të lëshohen menjëherë, edhe pse ata u arrestuan pikërisht për vrasjen e politikanit serb Ivanoviq.

“Janë dëgjuar rrafallet e shokë bombet gjatë orëve të mbrëmjes. I keni traumatizuar njerëzit që kanë qenë në gjumë”, ka thënë Rakic.

Derisa ai bëri thirrje që protesta të jetë e qetë, tha se Prishtina po u bën terror serbëve.

E sa i përket taksës ndaj prodhimeve serbe, Goran Rakic tha se nuk do të rrinë të qetë ndaj këtij “provokimi”.

“Dëshironi të na shtyni në geto”, tha Rakic.

Protestuesit kishin edhe pankarta të shumta edhe në gjuhën serbe, por edhe në atë angleze.

Shkrimet në këto pankarta ishin: “Evropë hapi sytë”, “Krejt çka ne po themi është që t’i jepni paqes një mundësi”, “Mos na shtynë drejt Ghettos”.

E Igor Simic, tha se taksa e vendosur ndaj prodhimeve serbe ndikon drejtpërdrejtë në jetën e serbëve në Kosovë.

“Ndoshta sot keni mundur të gjeni ndonjë paketë të qumështit nëpër dyqane. Por nesër nuk do të gjeni dhe kështu dita e ditës nuk do të kemi bukë për të ngrënë”, u tha ai protestuesve.

Ai tha se derisa do t’iu mungojë ushqim, serbëve nuk iu duhet as siguria dhe qetësia. Megjithatë, protesta përfundoi e qetë në orën 13:00 në këtë pjesë të veriut.

Të pranishëm në atë zonë ishin edhe automjetet e KFOR’it, dhjetëra prej tyre.

KFOR-i përmes një komunikate për media, ka deklaruar se nuk ka pasur operacione të jashtëligjshme apo veprime ushtarake dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve.

Megjithatë, KFOR’i thanë se janë të gatshëm të intervenojnë në rast se ndodhë diçka, ndonëse ata shpresojnë që një gjë e tillë të mos ndodhë./GazetaExpress/

SHKARKO APP