Gjuriç merr leje, në Kosovë për Pashkët ortodokse

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dhënë leje shefit të së ashtuquajturës Zyra serbe për Kosovën Marko Gjuriç që vijë në Kosovë.

Gjuriç do të vijë në Kosovë nesër për festën e Pashkëve Ortodokse.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Rejhan Vuniç tha për KosovaPress se kërkesa i është aprovuar në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës.

“Pa marrë parasysh që është zyrtar, ai sikurse secili pelegrin tjetër e gëzon të drejtën që të lutet në cilëndo kishë që ai dëshiron. Rregullat do t’i respektoj ngase është përballur dhe është njohur me realitetin e ri në Kosovë dhe nëpërmjet tij, me këtë realitet është njohur secili zyrtar i shtetit serb”, ka thënë Vuniç.

Gjuriq më 26 mars është arrestuar në veriun e Mitrovicës pasi që i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.

Policia e Kosovës e ka arrestuar Gjuriç derisa ishte në një tubim në veri të Mitrovicës dhe i njëjti pasi që është sjellur në Prishtinë është dërguar deri në kufirin në Merdar për t’ua dorëzuar autoriteteve serbe.

Ky veprim ka shkaktuar indinjatë tek serbët e Kosovës gjë që ka bërë që Lista Serbe të dal nga koalicioni qeverisës./KosovaPress/

SHKARKO APP