Gjykata e Prishtinës dënon me burg dy të akuzuar për terrorizëm
Një gjykatë në Kosovë dënoi me tre vite e gjysmë burg Arben Livorekën dhe Nexhat Behlulin, një javë pasi ata pranuan fajin për akuzat e terrorizmit.
Avokatja e një prej tyre konfirmoi vendimin, por u ankua se dënimi ishte shumë i ashpër.
“Dënimi ishte shumë i ashpër, duke marrë parasysh se ata e pranuan fajin. Klienti im kaloi vetëm një kohë të shkurtër në Siri. Ai ishte atje për arsye humanitare dhe është penduar,” tha për BIRN Hedije Ademi, avokate e Nexhat Behlulit.
Të dy të pandehurit e pranuan se iu bashkuan Haraushamit, një grupi militant të armatosur i lidhur me Al Nusran, në mars dhe nëntor 2013 respektivisht, dhe javën e fundit shprehën pendesë për veprimet e tyre.
Livoreka dhe Behluli, që u arrestuan në shkurt 2015, pretenduan se mosmarrëveshjet mes Harausham dhe ISIS, ku ky i fundit mori komandën e grupit të tyre, i bënë ata të largoheshin e të ktheheshin në Kosovë.
Megjithatë ata gjithnjë pohuan se nuk ishin përfshirë në luftime dhe në ndonjë aktivitet tjetër terrorist.
Sipas akuzës së prokurorisë, që BIRN e ka parë, Behluli shkoi në Siri nga aeroporti i Prishtinës përmes Stambollit dhe pastaj kaloi kufirin në mars 2013, por vendosi të kthehej të njëjtin muaj.
Sipas të njëjtit dokument Livoreka gjithashtu iu bashkua grupit duke udhëtuar nga Turqia në shtator 2013, por për shkak të ndarjes mes grupit ai u kthye në Kosovë në nëntor të të njëjtit vit.
Behluli dhe Livoreka fillimisht pretenduan pafajësinë, duke thënë se po udhëtonin në Siri për arsye humanitare të mbështetjes së viktimave të luftës.
Dokumentet e prokurorisë thonë se Behluli i tha hetuesve se duke parë “TV dhe media të tjera elektronike, ai dëshmoi tmerret e luftës siriane dhe vendosi të shkojë për të dhënë ndihmën e tij për sirianët”.
90 persona janë arrestuar në Kosovë që nga shtatori 2014 me akuzën e anëtarësisë në grupet terroriste si ISIS dhe Al-Nusra.
Vlerësimet më të fundit nga autoritetet e Kosovës thonë se rreth 300 kosovarë i janë bashkuar ISIS dhe Al Nusras. BINR